Pas bastisjeve në MINT, deputetja Deliu-Kodra kërkon shkarkimin e ministres Hajdari

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se pas bastisjeve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duhet të shkarkohet ministrja Rozeta Hajdari.

Deliu-Kodra ka thënë se ministrja është fillimi dhe fundi i problemit.

“Shoqërimi në polici i Hafizit e Irfanit dhe bastisja e pronave të Ridvan Muharremit për “Aferën Gruri&Vaji” në MINT, kanë kuptim vetëm nëse shkarkohet edhe Rozeta Hajdari. Nuk mund t’i iket përgjegjësisë politike në një skandal të madh si ky. Rozeta, si udhëheqëse e këtij dikasteri, është fillimi dhe fundi i problemit. Kryeministër, fjala është për ty!”- ka shkruar ajo në Facebook.

Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka bërë disa bastije në lokacione të ndryshme.

Në pranga ka përfunduar Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë në MINT.

Muharremit i është bastisur banesa dhe një pronë tjetër e tij, për më shumë se dy orë nga Policia e Kosovës.

Po ashtu, pak më parë janë arrestuar edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), nën dyshimet e njëjta për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.

Arrestohet Ridvan Muharremi, i dyshuar për aferën me rezerva shtetërore