Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim prej 30 ditësh, për njërin nga të dyshuarit për vrasjen e 26 vjeçarit në Mitrovicë

Për vrasjen e Albert Mujës në mesnatën e 30 tetorit në Mitrovicë, Gjykata e Mitrovicës ka caktuar masën e paraburgimit ndaj njërit prej të dyshuarve.

Ndaj A.Z. është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji për vrasjen në bashkëkryerje të Albert Mujës.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i prokurorisë, Valon Preteni.

“Po ndaj A.Z. është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji”, tha ai.

KALLXO.com kishte raportuar për vrasjen e 26 vjeçarit e cila kishte ndodhur pas një sulmi fizik dhe në të cilin dyshohet të jetë përdorur edhe mjet i mprehtë, thikë.

“Rreth orës 00:15, të datës 30 tetor 2021, policia në Mitrovicë, ka pranuar informacion se në rrugën ‘Artim Jashari’ pas një zënke-mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht viktima A .M. 26 vjeçar, lëndimet dyshohet të i jenë shkaktuar me një mjet të mprehtë (thikë) nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë”, thuhej në njoftimin e forcave të rendit.

Viktima kishte pranuar ndihmën e parë pas sulmit në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, e më pastaj është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por i njëjti nuk ka arritur t’u mbijetoj plagëve.

“Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, njofton Policia.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy të dyshuarit janë identifikuar dhe ata janë në kërkim.

“Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në kapjen e të dyshuarve dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje”, thuhet në fund të njoftimit.