Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim për të dyshuarit që trafikuan sirianë në Kosovë

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj H. F., dhe A. F., nën dyshimet se të njëjtit kanë bërë kontrabandim me migrantë.

Sipas njoftimit, për të pandehurit H. F., nga Komuna e Skenderajt, dhe A. F., nga Komuna Mitrovicës, është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Sipas njoftimit, H. F., dhe A. F., për përfitim të dobisë pasurore për vete, ia kanë mundësuar hyrjen e paligjshme në Republikën e Kosovës tre shtetasve Sirian.

Gjykata ka bërë të ditur se dy të pandehurit janë kapur në flagrancë duke i transportuar me dy vetura viktimat e rastit.

“Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë penale, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurve në procedurën penale, parandalimin e dëmtimit të provave dhe përsëritjes edhe të veprave tjera penale të kësaj natyre”, thuhet në njoftim.