Foto: REL

Pamje nga keqtrajtimi i shtetasit shqiptar nga policët e Malit të Zi

Në një video të publikuar sot në rrjetet sociale është shfaqur keqtrajtimi i një shtetasi shqiptar nga pjesëtarë të Policisë malaziase.

Cak i këtij incidenti ishte Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar për financa publike dhe politika monetare i kryeministrit të Shqipërisë.

Incidenti ka ndodhur më 15 janar dhe sipas autoriteteve ndodhi në pikën kufitare Sukobinë-Muriqan, afër Ulqinit.

Video është publikuar nga faqja në Facebook, Podgoricni vremeplov.

Drejtoria e Policisë është duke hetuar se çfarë ka ndodhur në këtë pikë kufitare pasi mediat shqiptare njoftuan se oficerët e Policisë Kufitare të Malit të Zi kanë keqtrajtuar brutalisht një shtetas shqiptar.

Ata kanë marrë deklarime nga punonjësit e asaj pikë kufitare dhe pas përfundimit të veprimeve zyrtare do të bëhet e ditur se çfarë sanksionesh do të merren ndaj punonjësve të Policisë, raporton Vijesti.

Në videon e publikuar, në një moment shihet dhe dëgjohet se si një burrë nga automjeti u thotë policëve se “nuk kam bërë asgjë”. Në video po ashtu dëgjohet fjalia “ule telefonin”, teksa polici nxjerr me dhunë nga makina shtetasin shqiptar.

Reagime në Mal të Zi pas sulmit të Policisë ndaj një shtetasi shqiptar