Thesi me kanabis i kapur nga Policia shqiptare - Foto: Facebook

Babë e bir kapen në pikën doganore në Malin e Zi, dyshohej se po dërgonin 300 kilogramë narkotikë në Austri

Policia e Shtetit ka njoftuar se 300 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa janë identifikuar dhe sekuestruar pas një bashkëpunimi mes institucioneve të sigurisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Në një njoftim, Policia e Shtetit ka thënë se në bashkëpunim me policinë malazeze ishin duke hetuar një rast të trafikimit të një sasie rreth 300 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi.

Policitë e dy vendeve kanë intensifikuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi është bllokuar një kamion tip “Renault”, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës.

Gjatë kontrollit në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe me paleta, që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të detajuar, kanë gjetur një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

“Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me autoritetet policore dhe ato doganore malazeze, po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore, për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale”- thuhet në njoftim.