Pamje nga aksioni i Policisë në periferi të Prishtinës

KALLXO.com raportoi para disa minutash se Policia e Kosovës është duke e zhvilluar një aksion në rajonin e Prishtinës.

Në redaksinë e KALLXO.com kanë arritur disa pamje nga ky aksion në periferi të Prishtinës, përkatësisht në rrugën Prishtinë-Ferizaj.

Aksionin policor për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Krasniqi tha se me operacionin policor po merren hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Ai nuk dha më shumë detaje, duke paralajmëruar se pas përfundimit të aksionit do të japin informacione shtesë.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë duke e realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës”, ka thënë shkurt zyrtari policor.