Pamje: Festa në shtëpinë e pleqve në Prishtinë

Një pemë e Vitit të Ri është e vendosur në një qoshe të shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë.

Atmosfera festive e krijuar është bërë që sado pak të mos ndjehet mungesa e dashurisë familjare për 82 banorë të saj.

Këta të moshuar janë detyruar të banojnë në këtë shtëpi për shkak të mungesës së përkujdesjes familjare e për shkak të vetmisë, dhe këtë po mundohen ta zëvendësojnë me prezencën e njëri-tjetrit.

Alie Ashiku që me profesion ka qenë mësimdhënëse ka rrëfyer për KALLXO.com se si është një ditë feste në këtë shtëpi.

“Ne kemi sallën ku ushqehemi është shumë e mirë, e rregullojnë bukur, drita gjithkund bëjnë. Edhe këtu përgatisin bukur me çarçafë të bukur”, thotë ajo,

“Nuk vjen më vizitu askush sepse s’kam askënd. Motra m’ka vdekur edhe vllau po ashtu, kështu kërkon”, ka treguar ajo për KALLXO.com.

Këndi i lojërave është bërë pika ku ata takohen çdo ditë, dhe pavarësisht viteve që mbajnë mbi supe nuk është zbehur dëshira për zbavitje.

Në këtë dhomë qëndronte edhe Nazmi Osmani, i cili ka 22 vjet që është banor i kësaj shtëpie, por festën e Vitit të Ri nuk e shijon aq shumë.

“Për Vitin e Ri përafërsisht na angazhojnë, na sjellin dhuratat, na festojnë na urojnë dhe shpërndahemi secili nëpër dhoma. Kush ka shoqni shkon, presin, dikush bjen flen se është me terapi naj kush”, ka thënë ai për KALLXO.com

Nazmi Osmani – MVI_1538 – 03:12 – 03:39

“Por edhe s’po kemi edhe pak vullnet, jemi pak të rënduar prej familjarëve. Krejt me mi dhënë mua, krejt me mi dhënë merri, prindërit nuk mund ë m’i japë kërkush, se s’kam thirrë asnjëherë nanë as babë se m’kan da t’vogël 6 muaj”, ka shtuar ai.

Drejtoresha e kësaj shtëpie, Raze Aliçkaj  ka treguar për KALLXO.com se në natën e vitit të ri mundohen që kujdesen sa më shumë për të moshuarit.

“Në kuadër të shërbimit social organizohen edhe aktivitete, klubi i rezidentëve me luaj lojëra të ndryshme, shah domino, letra, kanë mundësi të shikojnë televizor, shoqërojnë nga stafi jonë”, thotë ajo.

“Në vitin e ri vitin e kaluar bashkë, kemi qenë bashkë disa orë pastaj kanë vazhduar me stafin dhe klientët edhe këtë vit besojmë që do të jetë një organizim i mirë, tamon sikur në shtëpi të gjithëve”, ka shtuar Aliçkaj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë vetëm katër Shtëpi për të Moshuar në nivel vendi të cilat ndodhen në Prishtinë, Skenderaj, Gurakoc dhe Graçanicë.