Pal Lekaj

Pal Lekaj kritikon dhe i mban ligjëratë PShDK-së

Kandidati i AAK-së për deputet, Pal Lekaj, ka reaguar pas vendimit të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PShDK), e cila e ka shkarkuar Anton Shalën nga të gjitha pozita udhëheqëse në këtë parti për shkak që, sipas tyre, ai ka mbështetur koalicionin AAK-PSD.

Sipas Lekaj, PShDK, para se të shkarkonte Shalën nga pozitat në parti do të duhej të reflektonte në udhëheqjen e vet partisë duke pranuar gabimet e njëpasnjëshme të kryetarit dhe kryesisë qendrore. “Me arsyetimin që e shkarkuan zotëri Shalën, do t’u duhet ta shkarkojnë dhe mbyllin gjithë degën e PShDK-së në Gjakovë, meqë ka mbi 15 vite që bashkëpunojmë me këto struktura dhe fal kësaj, qytetarët e Gjakovës gëzojnë suksese”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Tutje kandidati i AAK-së për deputet, Pal Lekaj, ka thënë që PShDK-në e kanë përcjellë vazhdimisht dështime në rrugëtimin e saj politik.

“Dështimi i kandidatëve të PShDK-së nuk është risi. Të njëjtit po dështojnë tre palë zgjedhje rresht, duke testuar koalicione nga ai me PDK-në deri te ky i fundit me LDK-në, pa ndonjë sukses. Kjo tregon se krerët e PShDK-së janë larg realitetit dhe virtyteve të elektoratit që përfaqësojnë”, ka shkruar Lekaj.

Sipas tij vendimi i mbrëmshëm për shkarkimin e Anton Shalës është ofendimi më i madh që kjo parti i bën elektoratit demokristian.

“Ky vendim tregon qe kryesia qendrore e kësaj partie, votuesit e mundshëm të saj i konsideron “tufë delesh” që orientohen nga një individ”, ka theksuar Lekaj.

Tutje ish-ministri Lekaj ka thënë që ‘rënia’ e PShDK-së vjen pikërisht për shkak të vendimeve të udhëheqësve të kësaj partie.

“Duke u bazuar në kronologjinë e vendimeve të kësaj udhëheqësie, përgjigja që keni marrë në këto zgjedhje është mëse meritore dhe e tillë do të mbetet nëse nuk ndryshoni qasje”, ka shkruar tutje Lekaj.

Tutje Lekaj  në postimin e në Facebook ka thënë që AAK-ja do ta vazhdojë bashkëpunimin me PShDK, dega në Gjakovë, duke thënë që personalisht me të mund të debatojnë vetëm nëse arrin të marrin ulëse në Kuvend.

“Ndërsa debatin me mua personalisht, mund ta bëni vetëm nëse arrini ulëse në Kuvendin e Kosovës për të cilën keni marrë përgjigje nga elektorati”, ka theksuar Lekaj.

Dje Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka shkarkuar Anton Shalën nga të gjitha pozitat udhëheqëse në këtë subjekt politik.

Përmes një komunikate për media, PShDK ka njoftuar se arsyeja e shkarkimit të Anton Shalës, nga pozita e kryetarit të degëve të Partisë Demokristiane në Gjakovë dhe kryesuesit të Asamblesë në Gjakovë, nga koalicioni AAK-PShDK në nivelin lokal, ka ardhur për shkak se Shala kishte bojkotuar koalicionin LDK-PShDK dhe i ishte bashkangjitur koalicionit AAK-PSD dhe kandidatit Pal Lekaj.