Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pal Lekaj i reagon zv/ministrit Durmishi: Po e shpërqëndron vëmendjen nga aferat e tij korruptive

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka reaguar pas denoncimit në Prokurorinë Speciale nga ana e qeverisjes aktuale të këtij dikasteri që kundrejt një tenderi që sipas tyre, është nënshkruar nga Lekaj.

Lekaj ka thënë se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë të tillë siç̧ është përshkruar në deklarimet e zëvendësministrit Hysen Durmishi sot para mediave.

Sipas deputetit të AAK-së, paraqitja e Durmishit dhe implikimi në deklarata janë tendencioze ndaj tij.

Gjithashtu Lekaj ka akuzuar Durmishin se po përmend emrin e tij në media pa asnjë argument, e kjo sipas tij, vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga “skandalet dhe aferat e tij korruptive”.

“Derisa në Ministrinë e Liburn Aliut është instaluar një anarki totale financiare dhe keqpërdorim i thellë i buxhetit, me të cilat keqpërdorime duhet te merren seriozisht organet, zëvendësi i tij Hysen Durmishi, një ditë pasi i dha tender 1 milion Euro ish-shefit të tij, del dhe përmend emrin tim në media pa asnjë argument, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tij korruptive”, ka shkruar ish-ministri Lekaj.

Dosja që iu dorëzua Speciales sot ka të bëjë me kontratën “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017-2019”.

Sipas zv/ministrit Hysen Durmishit, kjo kontratë e nënshkruar në mars të vitit 2018, sa ishte ministër Pal Lekaj, kishte vlerë të përcaktuar 500 mijë euro, kurse në fund përfundoi me vlerën 5 milionë e 300 mijë euro.

Ky është reagimi i plotë i Pal Lekajt në rrjetin social “Facebook”

Reagim ndaj lajmeve të publikuar në disa media se “Durmishi e dërgon në Prokurori Speciale Lekajn”.

Me lajmin e datës 2 Korrik 2021 i shpërndarë në disa media është shpallë një gënjeshtër në opinion me të vetmin qëllim për t’i mbuluar shkeljet dhe veprimet korruptive të 3 muajve të qeverisjes aktuale.

Nga unë, gjatë kohës kur kam qenë Ministër i Infrastrukturës, e them me bindje të plotë, dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejtë, nuk kam nënshkruar asnjë kontratë të tillë siç është përshkruar në deklarimet e z. Durmishit.

Paraqitja e z. Durmishi dhe implikimi i im në deklarimet e tij, sikurse edhe raportimet dhe titujt e mediave janë tendencioze ndaj meje.

Ndërkohë që vetëm gjatë dy muajve të fundit Durmishi në Ministrinë që udhëheqë Liburn Aliu kanë nënshkruar afër 10 milion euro kontrata pa zhvilluar asnjë procedurë të prokurimit dhe të njëjtat nuk janë publikuar fare, duke kontrabanduar në zyrën e Durmishit vlera fiktive dhe të rrejshme.

Derisa në Ministrinë e Liburn Aliut është instaluar një anarki totale financiare dhe keqpërdorim i thellë i buxhetit, me të cilat keqpërdorime duhet te merren seriozisht organet, zëvendësi i tij Hysen Durmishi, një ditë pasi i dha tender 1 milion Euro ish-shefit të tij, del dhe përmend emrin tim në media pa asnjë argument, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tij korruptive.

Nuk është hera e parë që jam bërë pjesë e të tilla fushatave dhe persekutimeve të ashpra publike pa asnjë bazë argumentuese, por këto të pavërteta nuk më ndalin.