Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pacolli reagon ndaj videos së LVV-së: Shkatërruesit e shtetit jeni ju

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj videos së publikuar një ditë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën ish-drejtuesit e institucioneve, duke përfshirë edhe Pacollin, cilësohen si “shkatërrues të shtetit”.

Këtë video Pacolli e ka quajtur skandaloze dhe ka thënë se shkatërrues i shtetit është partia në pushtet – LVV.

“Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?” – ka pyetur Vetëvendosjes Behgjet Pacolli , i cili në të kaluarën ka mbajtur pozitën e presidentit të vendit, e më pas edhe të ministrit të Punëve të Jashtme e të zëvendëskryeministrit.

Tutje Pacolli ka renditur punët që ai i ka bërë qoftë si drejtues institucioni, qoftë si udhëheqës biznesi dhe i fondacionit që mban emrin e tij.

“Kam rindërtuar me shije, hapësirat në ndërtesat ku ju edhe sot punoni (Parlamentin, presidencën, ministrinë e punëve të jashtme e shumëçka, e ju jo që nuk i keni ndërtuar apo mirëmbajtur, por jeni përpjekur edhe ti shkatërroni” – ka shkruar ai.

Ndaj videos ku shihen fotot e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Behgjet Pacollit e Fatmir Limajt, të cilët cilësohen “shkatërruesit e shtetit” kanë reaguar edhe Sami Lushtaku e Vlora Çitaku.