Çitaku: Ngushëllimi i Qeverisë Kurti, rikthimi me propagandat me video

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka vlerësuar si propagandë videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në të cilën opozita akuzohet për shkatërrim të shtetit dhe sabotim përmes sindikatave.

Çitaku përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti po u ikë përgjegjësive të saj.

“Problemet para fytyrës i shmangin. Përgjegjësive u ikin. Dezertojnë nga menaxhimi. Konstantja e vetme e tyre: arsyetimi. Asnjë investim kapital. Zero rritje pagash. Të gjitha punët në ngarendje. Ngushëllimi i tyre: rikthimi me propagandat me video”, ka shkruar ajo në facebook.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka publikuar një video në të cilën i ka akuzuar partitë opozitare për shkatërrim të shtetit për 20 vite, e tani edhe për sabotim të shtetit përmes sindikatave greviste.

“Duan të mbysin çdo përpjekje për vendin sepse nuk duan ta shohin atë tek lulëzo. Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër vetëm për të sabotuar shtetin e sulmuar Qeverinë”, thuhet në videomesazh.

Në videon 2-minutëshe, nga kjo parti kanë vlerësuar se opozita dëshiron ta ndalë qeverinë Kurti duke përmbysur vullnetin e qytetarëve.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE!” – thuhet në përshkrimin në video.

LVV publikon një video me foto të Thaçit, Veselit, Haradinajt, Mustafës, Pacollit e Limajt, i quan shkatërrues të shtetit