Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lushtaku komenton videon e LVV-së, thotë se ka diskurs të urrejtjes

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka komentuar videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje në të cilën akuzohet opozita për shkatërrim të vendit.

Lushtaku së bashku me Limajn, Thaçin, Haradinajn e Veselin, shfaqen në pamjet e publikuara nga LVV si “shkatërrues të shtetit”.

“Më erdhi keq nga ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë, atje kur edhe familjet dhe edhe qytetarët presin që një kryeministër të interesohet se si po vazhdon burgimi i tyre, ai e publikon një spot që veç në kohën e Millosheviqit e kam parë” – tha ai.

“Nuk është problemi im, se ai mu më ka kundërshtar politik, dhe kundërshtarët politikë kështu i cilëson, nëse je me Albinin je i mirë. Kjo që ka ndodhë sot me këto spote është e rëndë për familjet tona, qytetarët e këtij vendi, sepse don m’i frikësu qytetarët me kësi propaganda” – theksoi Lushtaku në RTV Dukagjini.

Sipas Lushtakut një video e tillë fut një diskurs të urrejtjes në Kosovë.

“Ky nuk është Kurti, ky është Kurtoviq për mua… Ai ka futur një diskurs të urrejtjes në mes qytetarëve, gjë e cila sipas tij nuk ka ndodhur deri më tani në Kosovë” – ka thënë ai.

Tutje Lushtaku ka thënë se PDK nuk mund ta rrëzojë Qeverinë e Albin Kurtit.

“As nuk mundet ta rrëzojë Sami Lushtaku, as PDK, sepse ai i ka 51 për qind, nëse don ai le të rrëzohet vetë, le të rrëzohet kur të dojë, kurrë mos u çoftë më” –  tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka publikuar një video në të cilën i ka akuzuar partitë opozitare për shkatërrim të shtetit për 20 vite, e tani edhe për sabotim të shtetit përmes sindikatave greviste.

“Duan të mbysin çdo përpjekje për vendin sepse nuk duan ta shohin atë tek lulëzo. Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër vetëm për të sabotuar shtetin e sulmuar Qeverinë”, thuhet në videomesazh.

Në videon 2-minutëshe, nga kjo parti kanë vlerësuar se opozita dëshiron ta ndalë Qeverinë Kurti duke përmbysur vullnetin e qytetarëve.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE!”, thuhet në përshkrimin në facebook.

 

 

LVV publikon një video me foto të Thaçit, Veselit, Haradinajt, Mustafës, Pacollit e Limajt, i quan shkatërrues të shtetit