Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli dorëzon në Prokurori dokumente të krimeve të Serbisë në Kosovë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka dorëzuar në Prokurori dosjet për krimet e luftës dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, në rrjetin social ‘Facebook’.

”Këto dosje paraqesin fakte dhe dëshmojnë se Serbia kishte një politikë shtetërore të orkestruar gjenocidale kundër Kosovës e cila ishte në terren e zbatuar nga ushtria jugosllave, MUP-i, grupet paramilitare të kontrolluara nga Beogradi dhe grupet e tjera lokale të armatosura serbe që kryenin spastrimin etnik dhe vrasjet masive”, ka shkruar Zyberaj.

Me 10 dhjetor, Pacolli e ka paralajmëruar dorëzimin e 10 mijë faqeve dokumente në krimeve të Serbisë në Kosovë.

“Sot pasi kam marrë kontakt me organet e prokurorisë, të depozitojë 10 mijë faqe materiale për krimet e Serbisë në Kosovë. Materiale që e përshkruajnë ngjarjet në detaje. Janë dokumente që aty, nuk janë trajtu asnjëherë, sipas informata që kam, diku 95% e kriminelëve që janë përmendur në këto dokumente, lëvizin lirshëm”, kishte thënë ai.

KALLXO.com raportoi dje se ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq i ka reaguar Jetlir Zyberajt, këshilltarit të homologut të tij nga Kosova, i cili ditë më parë publikoi disa të dhëna për masakrat e forcave serbe në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

“Pavarësisht se çfarë, unë jam i gatshëm të dëshmoj në Gjykatën Speciale në Hagë dhe unë kam tonelata materiale që më së miri tregojnë se kush kë e dëboi nga Kosova”, ka thënë Daçiq për Novosti, raporton b92.

Në anën tjetër, më 5 dhjetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut.

Kjo pasi qe Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia