Daçiq: Jam i gatshëm të dëshmoj në Hagë kundër UÇK-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq i ka reaguar Jetlir Zyberajt, këshilltarit të homologut të tij nga Kosova, i cili ditë më parë publikoi disa të dhëna për masakrat e forcave serbe në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

“Pavarësisht se çfarë, unë jam i gatshëm të dëshmoj në Gjykatën Speciale në Hagë dhe unë kam tonelata materiale që më së miri tregojnë se kush kë e dëboi nga Kosova”, ka thënë Daçiq për Novosti, raporton b92.

Daçiq ka theksuar se ka dëshmi për këtë çështje dhe ato mund t’i nxjerrë nga raportet e tij në mbledhjen e OKB-së.

“Ndërsa Kosova është një shtet, aq i besueshëm është edhe ky raport i SPS që halucinon Zyberaj. Por nuk është një halucinacion, për fat të keq, por një situatë realiste që më shumë se 200.000 serbë i dëbuan nga Kosova dhe nuk mund të kthehen në shtëpi për dy dekada”, tha ai.

Ai ka shtuar se është i gatshëm të dëshmojë në Gjykatën Speciale, por si dëshmitar kundër ish-ushtarëve të UÇK-së.

Këshilltari i ministrit të Jashtëm në detyrë, Jetlir Zyberaj ditë më parë kishte publikuar disa dokumente që, sipas tij, janë ato që dëshmojnë përgatitjet që kanë bërë autoritetet e larta të Serbisë për fshehjen e krimeve që kishin bërë në Kosovë.

Ai kishte thënë se këto dokumente mund të shërbejnë si bazë për ta thirrur shefin e diplomacisë serbe Ivica Daçiqin në Gjykatën Speciale.

Publikimi i këtyre dokumenteve nga ana e tij erdhi pasi që zyrtarët serb mohuan masakrën e Reçakut.