Osmani reagon për ngacmimin seksual, thotë se është pasqyrë e trishtë e situatës së rëndë në shoqëri

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar për rastin e ngacmimit seksual të një vajzë të mitur në njërën nga shkollat e Prishtinës.

Osmani ka shkruar se ky rast i ngacmimit seksual nuk është i izoluar, por është një pasqyrë e trishtë e shoqërisë.

Në reagimin e saj presidentja Osmani u ka bërë ftesë prindërve që ta luftojnë mendësinë në të cilën vajzat ngacmohen vazhdimisht.

Osmani ka njoftuar se sot gjatë ditës ka biseduar me ministren e Arsimit dhe atë të Punëve të Brendshme për të siguruar që do ta trajotjnë rastin me prioritet.

Lexoni postimit e plotë të Vjosa Osmanit:

Nuk është vetëm një rast i izoluar i ngacmimit seksual! Fatkeqësisht, është një pasqyrë e trishtë e një situate të rëndë në shoqërinë tonë.

Prindër të dashur,

Është koha e fundit të luftojmë mendësinë ku vajzat vazhdimisht ngacmohen e rriten me idenë që duhet të mbrohen, të kenë kujdes, e të privohen. Tani, si kurrë më parë, është koha të edukojmë djemtë tanë të trajtojnë motrat e shoqet e tyre të klasës si të barabarta me ta, e me respektin dhe dashurinë që ato e meritojnë.

Rasti i ngacmimit seksual të vajzës së mitur nga disa fëmijë poashtu të mitur, shpërfaqë nevojën urgjente të adresimit të çështjes së sigurisë për nxënësit e fëmijët në çdo rrethanë e çdo ambient.

Sot kam biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla dhe ministren e Arsimit, znj.Arbërie Nagavci, të cilët më kanë siguruar që me prioritet dhe profesionalizëm po e trajtojnë rastin në fjalë.

Është përgjegjësi e jona kolektive për të punuar me ngulm që raste të tilla të mos përsëritën. Ne duhet të krijojmë siguri maksimale për vajzat e djemtë tanë, kudo që ndodhen ata: në rrugë, apo në shkollë. Siguria për ta është investim në të ardhmen e tyre.

Siguria, mirëqenia, dhe e drejta e tyre për një fëmijëri të qetë, pa dhunë e në mirëqenie, duhet garantuar në çdo rrethanë dhe me çdo kusht!