Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jo rezident i Pakistanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri jo rezident i Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid.

Osmani e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatin të tij të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale.

Sipas Zyrës së Presidentes, me ambasadorin Junaid, Osmani bisedoi edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe potencialin e rritjes së bashkëpunimit në sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

“Presidentja Osmani falënderoi Pakistanin për mbështetjen e Kosovës, në veçanti në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare me ç`rast ambasadori Junaid konfirmoi mbështetjen e shtetit të tij në këtë drejtim” – thuhet në komunikatë.

Në raport me zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.

“Osmani falënderoi Ambasadorin Junaid për mbështetjen e parezervë që Pakistani i ka ofruar Kosovës përgjatë gjithë proceseve me rëndësi nëpër të cilat ka kaluar Kosova”- thuhet tutje.