Osmani nga Katari: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për investime.
Këtë ajo e ka thënë gjatë vizitës zyrtare në Katar, ku po merr pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit, që po mbahet në Doha.
Sipas njoftimit të presidencës, pjesë e kësaj tryeze janë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e përfaqësues të bizneseve më të suksesshme nga Kosova.
“Duke folur për potencialin zhvillimor të Kosovës, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme” – thuhet në njoftimin e presidencës.
“Presidentja Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike”.
Ndërsa kryetari Rama ka prezantuar planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit dhe transportit.
Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Ëeb Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha.