Osmani në Ditën e të Zhdukurve: Është një nga krimet më të llahtarshme të Millosheviqit

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë në luftën e fundit në Kosovë, ka thënë se zhdukja me dhunë e mijëra qytetarëve është një nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb të Millosheviqit.

Osmani ka thënë se solidarizohet me dhimbjen e ankthin e familjarëve të të pagjeturve në Kosovë.

“Si çdo ditë, por veçanërisht sot, kujtojmë mbi 1600 bashkëqytetarët tanë të zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Sot mendjen e kemi te familjarët e tyre dhe solidarizohemi me dhimbjen e ankthin e tyre të çdoditshëm. Zhdukja me dhunë e mbi mijëra qytetarëve tanë, përfshi shumë fëmijë ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli” – ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se në ditët si kjo duhet të kuptohet se sa e rëndësishme është që të vihet drejtësia në vend.

“Në ditët si kjo duhet ta kuptojmë jo vetëm se sa e rëndësishme është që të kërkohet kthimi i të gjithë të zhdukurve me dhunë, por mbi të gjitha se sa e rëndësishme është që ta vëmë në vend drejtësinë për ta” – ka thënë Osmani.

Më 27 prill në Kosovë shënohet është Dita e të Zhdukurve me Dhunë në luftën e fundit në Kosovë, ku ndër të tjera përkujtohet edhe masakra në Mejë të Gjakovës, në të cilën në vitin 1999 u vranë rreth 377 shqiptarë, përfshi pleq e fëmijë.