Osmani mirëpret letrën e Bidenit: Rruga e vetme - dialogu me marrëveshje për njohje

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka mirëpritur letrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën i ka kërkuar ta njohë Kosovën.

“Mirëpres qëndrimin e presidentit Joe Biden në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Është e qartë se rruga e vetme në dialog është marrëveshja për njohje. Një qasje që ka munguar që nga fillimi i dialogut, një qasje që duhet për përfundim të suksesshëm”, ka shkruar ajo në Twitter.

Sot presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka kërkuar homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, njohjen e Kosovës së pavarur.

Në një letër urimi me rastin e 15 shkurtit – Ditës Kombëtare të Serbisë, Biden thekson se ShBA qëndron përkrah Serbisë në synimin për integrimin europian dhe e inkurajon të vazhdojë të bëjë hapa përpara për të arritur këtë qëllim – përfshirë realizimin e reformave të domosdoshme dhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizim me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se çështja e njohjes nuk përmendet në asnjë dokument.

“Kam pranuar urimin, e falenderoj. Sa i përket njohjes, ajo nuk përmendet në asnjë dokument. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë. Ua kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj në lidhje me të dhe qëndrimi im nuk do të ndryshojë. Është e qartë se qëllimi i tyre nuk është arritja e një marrëveshjeje por poshtërimi deri në fund i Serbisë”, tha Vuçiq, të dielën, gjatë një vizite në një kazermë të ushtrisë serbe në Pançevë.

Vuçiq: Njohja e ndërsjellë nuk përmendet në asnjë dokument