Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Osmani: Kushtetuta jonë na mban brenda familjes së madhe evropiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës është frymëzim për liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Në përvjetorin e 15-të të miratimit të Kushtetutës, Osmani ka thënë se është detyrë e prioritet që të respektohen dhe zbatohen vlerat kushtetuese.

“Sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë. Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare, për barazi para ligjit dhe vlera të tjera, përmes të cilave, kjo kushtetutë na mban brenda familjes së madhe evropiane. Është detyrë e përbashkët, që nëpërmjet ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, respektimit të vullnetit të popullit, garantimit të lirive qytetare pa dallim, t’i mbrojmë dhe avancojmë këto vlera, duke u bazuar gjithnjë në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës. Mbetet detyrë dhe prioritet i yni i përbashkët që me punë e përkushtim, t’i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit tonë” – ka thënë presidentja Osmani.

15 vjet më parë, Kosova u bë me aktin më të lartë juridik, dokumentin bazë të shtetësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke i dhënë fund qeverisjes së Kosovës në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244.

17 shkurti i vitit 2008 shënoi Kosovën në hartat politike të shteteve të pavarura ndërsa dy muaj më pas Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila më 15 qershor të po atij viti hyri në fuqi.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.