Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com
Osmani do të dërgojë një përfaqësues nga kabineti i saj në takimin e Ambasadës amerikane për Asociacionin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të dërgojë një përfaqësues nga kabineti i saj në takimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, ku pritet të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë të ditur se më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Ambasada ka thënë se synim i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”.