Organizata gjermane ndan maska mbrojtëse për shtëpinë e të moshuarve dhe komunitetet

Organizata gjermane Help i është bashkangjitur radhës së organizatave që po u dalin në ndihmë njerëzve në nevojë në këto ditë pandemie.

Shqipe Breznica nga organizata Help tha për KALLXO.com se maskat të cilat po i shpërndajnë i kanë qepur shoqata e grave në Komogllavë, komuna e Ferizajt.

Gratë vullnetarisht kanë shprehur dëshirën për të ndihmuar me qepjen e maskave, thotë Breznica.

“Kur ne kemi fillu shpërndarjen e ndihmave medikamenteve e gjëra të tjera këto ditë, gratë e shoqatës së Komogllavës kanë ofru ndihmë vullnetare për qepjen e maskave”, tha Breznica

Ajo tutje tha se organizata Help ka siguruar materialin dhe gratë kanë vazhduar qepjen e maskave.

“Organizata jonë ua ka blerë materialin dhe ato kanë qepë maska për ne dhe ende po vazhdojnë.

“Deri tash i kemi shpërndarë vetëm në shtëpinë e të moshuarve dhe në shtabin e krizës në Fushë Kosovë të cilat janë të dedikuara vetëm për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas”, u shpreh Breznica për KALLXO.com.

Tutje ajo thotë se janë edhe 1000 maska në dispozicion për tu shpërndarë, por janë duke u koordinuar se ku është nevoja më e madhe për t’i shpërndarë.

Deri më tani në Kosovë janë 112 persona të infektuar nga coronavirusi, 6 prej tyre janë shëruar ndërsa 1 ka vdekur.

Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike në Kosovë vazhdimisht po u bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, të mbajnë pastërtinë por të mos kenë panik.