Operacioni 'Goditja', për një javë arrestohen 96 persona, konfiskohen 37 armë e kontrollohen afër 17 mijë automjete

Policia e Kosovës është duke vazhduar së zbatuari operacionin “Goditja” dhe gjatë javës së fundit ka shtuar aktivitetet kryesisht në zonat urbane me qëllim të ofrimit të sigurisë publike dhe arrestimin e të dyshuarve.

Ndërmjet 8 e 14 gushtit, Policia ka njoftuar se janë konfiskuar 37 armë dhe janë arrestuar 96 persona, prej tyre 27 me urdhër-arreste nga gjykatat.

Ndërsa, ka bërë të ditur se janë kontrolluar 16 mijë 916 automjete dhe 270 lokale.

Tutje Policia ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve janë realizuar 2 mijë e 997 pika kontrolli për automjete, 970 prej tyre me radarë dhe alkool-test.

Sipas njoftimit, Policia do të vazhdojë të kryejë dhe të realizojë pikat e parapara me këtë urdhër me qëllim që rastet kriminale të parandalohen dhe zvogëlohen sa më shumë.

Brenda një jave në Kosovë ndodhën 3 vrasje në lokale, në Prishtinë, Klinë dhe Skenderaj.