Policia e trafikut - Foto: Policia e Kosovës

Operacioni “Droni”, konfiskohen 112 patentë shoferë në rajonin e Gjakovës

112 patentë shoferë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës nga data 24 maj deri më 28.05.2024 në kuadër të një plani operativ të quajtur “Droni”.

Po ashtu, në kuadër të këtij plani janë shqiptuar 902 gjoba për kundërvajtje.

Policia ka njoftuar se patentë shoferët janë konfiskuar për kundërvajtje të ndryshme, si; tejkalime në vende të ndaluara, tejkalime të kolonës së mjeteve, mosndalja në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë etj.

Ndërsa gjobat janë shqiptuar për tejkalime të shpejtësisë, përdorimi i telefonit dhe mosvendosja e rripit të sigurisë gjatë ngasjes etj.

Në njoftim thuhet se në kuadër të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë është themeluar një task-forcë pjesë e planit operativ “Droni”, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, parandalimin e aksidenteve të trafikut, identifikimin e kundërvajtësve, në veçanti identifikimin dhe parandalimin e kundërvajtjeve të rrezikshme.