Pranvera Zejnullahu Raci

Pse është kthyer në punë logopedi i dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor?

Logopedi nga Gjilani, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, Iljasa Fazliu, është kthyer para më pak se një jave në punë si logoped në Klinikën e Otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lidhur me këtë rast, Pranvera Zejnullahu Raçi, ish-drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, e cila dha dorëheqje pas gati 6 muaj në këtë pozitë, i ka treguar arsyet se pse Fazliu është kthyer në punë.

“Çështja e logopedit në ORL është trajtuar menjëherë, drejtori i kësaj klinike ka bërë kërkesë sepse ashtu shkon hierarkia, as unë as ai nuk mund ta shkarkojmë vetë drejtpërdrejtë” – ka thënë Zejnullahu-Raçi n[ emisionin “Kallxo P[rnime”.

Tutje ajo ka treguar se rasti i tij është dërguar në komisionin disiplinor, që është mekanizëm ligjor në SHSKUK.

Ish-drejtoresha ka thënë se nuk mund të garantojnë nëse diçka e tillë mund të përsëritet prapë.

Iljasa Fazliu ishte arrestuar më 27 nëntor nga Policia e Kosovës pas shpërndarjes në media të një audioje, ku logopedi dëgjohet duke e fyer dhe ofenduar pacienten 3 – vjeçare.

“I njëjti ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe denigruese, ku ndër të tjera duke bërtitur me tone të larta i ka thënë “ik, ik atje…Ti koke budallicë… ta q… bota nanën”– përshkruhet në dosjen e Prokurorisë së Gjilanit.

Gjykata Themelore në Gjilan i kishte caktuar atij masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Në paraburgim 30-ditor kanë përfunduar edhe 2 familjarë të pacientes, pasi dyshohen se më 26 nëntor kanë sulmuar fizikisht Fazliun.

Sipas dosjes së Prokurorisë, rreth tri orë pas ngjarjes në ordinancë, babai i 3-vjeçares I.Sh. dhe daja i saj R.V., e kanë gjetur logopedin në një kafene në Gjilan dhe e kanë sulmuar fizikisht.  Ata po dyshohen për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Logopedi nga Gjilani ishte ulur nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) më 29 nëntor.

Fazliu ishte emëruar në këtë post më 6 shtator 2022, ndërsa referuar përgjigjes së tyre, ai punon si logoped në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga viti 1999.

SHSKUK kishte kërkuar nga Drejtori i Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj që të merren masa ndaj Fazliut pas arrestimit të tij dhe shpërndarjes së videove në rrjetet sociale ku ai dëgjohet duke përdorur fjalë ofenduese dhe denigruese ndaj një pacienteje 3 – vjeçare.

Po ashtu, gjatë kohës kur ai dyshohet ta ketë bërë këtë vepër ai nuk ka poseduar licencë të punës.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për KALLXO.com që logopedi në fjalë kishte marrë licencën më prill 2005 në afat prej 5 vitesh. Ai ishte rilicencuar më 18 shtator 2017, licencë kjo që kishte skaduar më 18 shtator të këtij viti.

Drejtoria e SHSKUK-së tha që të punësuarit e kanë të detyrueshme që pas skadimit të licencës ta sjellin licencimin e vazhduar nga Ministra e Shëndetësisë apo Oda përkatëse.

Fazliu më 26 prill 2019 ishte zgjedhur kryetar i Komisionit të Profilit Specifik për Licencim të Logopedëve të formuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK).