Logopedi i dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ulet nga pozita e u.d. Shefit të Shërbimit të Logopedisë

 

Logopedi nga Gjilani që është arrestuar si i dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, Iljasa Fazliu është ulur nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) më 29 nëntor.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Drejtoria e SHSKUK-së.

“Me daljen në media për këtë rast ne si Institucion kemi marrë masa të menjëhershme si ulje në pozitë me Vendim nr. 8726 datë 29.11.2022 ku nga pozita U. D. Shef i Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë, janë marrë masa të menjëhershme edhe nga Komisioni Disiplinor më Vendimin nr. 8756 të datës 29.11.2022” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Fazliu ishte emëruar në këtë post më 6 shtator 2022, ndërsa referuar përgjigjes së tyre, ai punon si logoped në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga viti 1999.

SHSKUK kishte kërkuar nga Drejtori i Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj që të merren masa ndaj Fazliut pas arrestimit të tij dhe shpërndarjes së videove në rrjetet sociale ku ai dëgjohet duke përdorur fjalë ofenduese dhe denigruese ndaj një pacienteje 3 – vjeçare.

Gjatë kohës kur ai dyshohet ta ketë bërë këtë vepër ai nuk ka poseduar licencë të punës.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për KALLXO.com që logopedi në fjalë kishte marrë licencën më prill 2005 në afat prej 5 vitesh. Ai ishte rilicencuar më 18 shtator 2017, licencë kjo që kishte skaduar më 18 shtator të këtij viti.

Drejtoria e SHSKUK-së tha që të punësuarit e kanë të detyrueshme që pas skadimit të licencës ta sjellin licencimin e vazhduar nga Ministra e Shëndetësisë apo Oda përkatëse.

Licencimi dhe rilicencimi i profesionistëve shëndetësor ka qenë përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë deri në 2018-tën. Nga atëherë kjo përgjegjësi ka kaluar te odat përkatëse profesionale, në rastin konkret të Oda e Infermierëve të Kosovës.

Ministria tutje ka treguar që as klinika e tij private ”AAR Logo Plus”, ku dyshohet të ketë ndodhur rasti nuk kishte pasur licencë dhe si rrjedhojë Inspektorati i Shëndetësisë nuk ka kompetenca për ta inspektuar.

“Në bazë të të dhënave nga Divizioni për licencim dhe akreditim të Institucioneve private shëndetësore, “AAR Logo +” nuk rezulton të jetë e licencuar si institucion shëndetësor, por si biznes individual i regjistruar në ARBK” – thanë nga MSH.

Fazliu më 26 prill të 2019 – ës ishte zgjedhur kryetar i Komisionit të Profilit Specifik për Licencim të Logopedëve të formuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK).

“OIK në profile të caktuara siç janë: logopedët, laborantët mjekësorë e shumë profile tjera pa marrë parasysh a janë apo jo anëtarë të Odës, i marrim nga tre profesionistë të secilës fushë në mënyrë që të udhëheqin profilet e caktuara” – tha Oda për KALLXO.com pasi u pyet për këtë çështje.

Iljasa Fazliu është arrestuar më 27 nëntor nga Policia e Kosovës pas shpërndarjes në media të një audioje ku logopedi dëgjohet duke e fyer dhe ofenduar pacienten 3 – vjeçare.

“I njëjti ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe denigruese, ku ndër të tjera duke bërtitur me tone të larta i ka thënë “ik..ik atje…Ti koke budallicë…ta q…bota nanën”– përshkruhet në dosjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar atij masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Në paraburgim 30 ditor kanë përfunduar edhe 2 familjarë të pacientes, pasi dyshohen se më 26 nëntor kanë sulmuar fizikisht Fazliun.

Sipas dosjes së Prokurorisë, rreth tri orë pas ngjarjes në ordinancë, babai i 3-vjeçares I.Sh. dhe daja i saj R.V., e kanë gjetur logopedin në një kafene në Gjilan dhe e kanë sulmuar fizikisht.

Ata po dyshohen për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Raportimet e Kallxo – LINK