Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

1 muaj paraburgim për logopedin nga Gjilani dhe dy të dyshuarve për sulm ndaj tij

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë mjekut I.F. nga Gjilani dhe dy të akuzuarve për sulmin ndaj tij, I. Sh. dhe R. V.

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se i pandehuri I. F. dyshohet se ka kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri I. F., me datë 26 nëntor 2022, në intervalin kohor prej orës 10.00-11.00 minuta, në ordinancën private, në cilësinë e mjekut Defektolog –Logoped, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit” – thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit të Gjykatës të pandehurit I. Sh. dhe R. V. dyshohet të kenë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Më datë 26 nëntor 2022, rreth orës 12.52 minuta, në lokalin që ndodhet në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në bashkëkryerje dhe me përdorimin e atëqasshëm të dhunës, për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm të fëmijut me autizëm, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit tani të dëmtuarit I. F.”, thuhet në njoftim.

Mjeku I.F. dje është sulmuar nga dy familjarë të pacientes së tij.

Në media dje kanë qarkulluar audio-incizime, në të cilën dëgjohet doktori I.F., teksa fyen pacienten e tij gjatë një seance.

Rreth një orë pasi që ka përfunduar seanca, mjeku në fjalë është sulmuar nga dy familjarët e pacientes e cila po trajtohej për autizëm.

Dosja e Prokurorisë së Gjilanit: Mjeku e ofendoi pacienten 3-vjeçare, familjarët e saj e sulmuan fizikisht mjekun