Ilustrim

Logopedi që dyshohet se keqtrajtoi 3 vjeçaren ende i shtruar në spital

KALLXO.com ka konfirmuar se ditën e diel, logopedi i cili dyshohet se ka keqtrajtuar 3 vjeçaren gjatë trajtimit, ka probleme shëndetësore dhe për këtë është shtruar në spital.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

“Pardje është shtruar në spital, për shkak që dje ka qenë festë, sot janë bërë analizat, e nesër konzorciumi i mjekëve do të bëjë vlerësimin se a do ta lirojnë apo do ta mbajnë në spital”- tha Emini.

I pyetur për gjendjen e mjekut, drejtori Emini konfirmoi se gjendja e tij është e mirë, mirëpo ka ende disa probleme.

Kujtojmë se mjekut i është shqiptuar masa e paraburgimit, kështu ai është në spitalin e Gjilanit i shoqëruar nga zyrtarë policorë dhe këtë për KALLXO.com e konfirmoi drejtori i spitalit dhe zyrtari i policisë së Gjilanit, Ismet Hashani.

“Personit ju kanë paraqit shqetësime shëndetësore, meqë është në paraburgim, policia po e shoqëron në spital”- tha Hashani.

Në media është publikuar një audio-incizim, ku pretendohet se logopedi fyen dhe i bërtet një fëmije – vajzë.

Ndërsa, në video-incizimin e publikuar në media shihet se si dy persona e sulmojnë një person tjetër në një lokal, në Gjilan.

Sulmuesit pretendohet se janë prindi dhe daja i vajzës, kurse i sulmuari logopedi.

Policia ka njoftuar se është arrestuar doktori në fjalë, e prokuroria ka kërkuar paraburgimin e tij masë kjo që i është shqiptuar.

Gjilan, arrestohet mjeku nën dyshimin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Por, sipas Policisë së Kosovës, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, pasi që dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht mjekun, të cilit i kanë shkaktuar lëndime.

Në lidhje me këtë rast kanë reaguar edhe autoritetet kompetente dhe lajmet mund ti lexoni në këtë LINK.