Amalia Koleka, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Nxënësit e Prishtinës zbërthejnë veprat artistike në Galerinë Kombëtare të Arteve

Insekte, bimë e zvarranikë, që i kanë dhënë jetë fantazisë së artistit Genc Kadriu, në çarçafët e tij, janë kombinuar me ngjyrat e stinëve dhe janë prezantuar në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Këto vepra arti jo të zakonshme, por që bartin në vete edhe një copë natyre, janë vizituar sot nga nxënësit e shkollës së mesme të ulët “Pjetër Bogdani” të kryeqytetit.

Vepra e artistit Genc Kadriu, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Amalia Koleka, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Vizitorët kanë zbuluar mesazhin dhe teknikat e artistit për secilën vepër përmes një bashkëbisedimi me një ndërmjetësuese të Galerisë, Amalia Koleka.

Amalia Koleka, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Amalia Koleka, psikologe nga Tirana, e cila që një kohë është ndërmjetësuese në Galerinë Kombëtare të Arteve, ka thënë se gjithçka kishte nisur në Manifesta 14, ku kishte marrë pjesë në prezantimin e praktikës së ndërmjetësimit në kulturë dhe art, në konteksin e Kosovës.

”Kosova ka një traditë shumë të thellë me procesin e ndërmjetësimit, mund të përmend pajtimin e gjaqeve, që është shumë i rëndësishëm ama kjo praktikë e ndërmjetësimit nuk është aplikuar në art, kulturë, në gjëra që janë në industrinë krijuese” – ka theksuar Koleka për KALLXO.com.

Pas Manifesta 14 kanë dashur që ta vazhdojnë këtë praktikë të mirë të ndërmjetësimit në programin e edukimit në Galeri Kombëtare të Arteve.

Roli i ndërmjetësueses për të, ashtu siç e ka përshkruar Koleka, është ‘unë bëhem urë ndërmjet një pikture edhe një publiku që e viziton’.

”Pozicioni që duhet të merret në ndërmjetësim është pozicioni – unë po të ushqej diçka edhe ty çfarë shije po të jap, ti çka po dëgjon, ti çka mendon, ti si e sheh, d.m.th. nuk ka këtu unë jam autoriteti dhe ti je vizitori” – ka vazhduar Koleka.

 

Amalia Koleka, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Për Kolekën, në këtë vizitë kishte nxënës që edhe i njihte pasi i kishte parë edhe më parë në Galeri. Dhe, sipas saj, është e nevojshme që nxënësit të kenë aktivitete të tilla, pasi nuk ndikon vetëm në programin e artit në shkolla, por edhe te vetë nxënësit.

Pasi ajo ka bashkëbiseduar me nxënësit në lidhje me veprat e artistit Kadriu, i ka shoqëruar në një punëtori, duke iu kërkuar të interpretojnë në letër atë çka kanë pranuar sot nga kjo vizitë.

Përveç Prishtinës, Koleka ka bërë të ditur se deri më tani nuk kanë pranuar nxënës të shkollave të qyteteve të tjera.

”Ne kemi patur edhe idenë që të kërkojmë fonde të jashtme për t’i mundësuar ardhjen shkollave të tjera, për t’i mundësuar transportin, ndonjë ushqim. Kjo nuk është Galeria e Prishtinës, është Galeria Kombëtare e Kosovës, d.m.th. është e të gjithëve edhe nuk ka këtu vetëm për një qytet apo për një tjetër” – ka thënë ajo duke bërë edhe thirrje që ta vizitojnë Galerinë.

Kurse për artin e Genc Kadriut ajo ka thënë se ai sjell histori, materiale natyrore (qymyri i Prishtinës, luleshtrydhja e Reçakut), një zhbllokim të kreativitetit të vet, sjell materiale shumë personale, çarçaf të shtëpisë së tij, piktura që flasin me poezi.

”Ky artist thjesht e shpalos procesin e tij shumë lirshëm, me korniza po pa korniza edhe e zbërthen, çka ndodh brenda studios së tij” – e ka përshkruar punën e artistit Kadriu.

Për arsimtarin e artit figurativ në këtë shkollë, Halil Ramadani, i cili e ka krijuar si traditë që t’i realizojë këto vizita së bashku me nxënësit, ora e artit figurativ nuk ka të bëjë direkt vetëm me artin.

Ai aplikon si metodë që temat në lëndët e tjera mësimore, si nga historia, gjuha shqipe, gjeografia, të pasqyrohen përmes artit në orën e tij.

‘’Jashtëzakonisht shumë (u ndihmon), sepse me ardhjen sot në Galeri, kanë me ndi veten më kompetentë për art’’ – ka treguar ndikimin e kësaj vizite te nxënësit.

Arsimtari Halil Ramadani, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

‘’Ka me qenë një orë e plotë kushtuar ekspozitës që pamë sot, do të mundohem prapë në bashkëpunim me arsimtarin e gjuhës shqipe, të shprehen ashtu siç janë ndje këta, shkruaj çfarë ti ke parë, shkruaj çfarë do të bësh ti’’ – ka shpjeguar Ramadani se çka do të bëjnë nxënësit në orën e ardhshme të artit.

Ramadani pret që brenda këtij vitit shkollor t’i realizojë 5 aktivitete, vizita që ndërlidhen me artin dhe ndihmojnë në socializimin e nxënësve.

‘’Uroj që ky bashkëpunim të jetë tradicional, të vazhdojë sikur lumi që nuk ndalon kurrë. Arti është një lumë që gurgullon, gjithmonë, pasionet, impresioni i jetës vijnë nga arti’’ – ka uruar Ramadani.

Veprat e artistit Genc Kadriu, sipas Kolekës, janë punuar në një periudhë njëvjeçare.

Veprat e artistit Genc Kadriu, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Vepra e artistit Genc Kadriu, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Vepra e artistit Genc Kadriu, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Vepra e artistit Genc Kadriu, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Vepra e artistit Genc Kadriu, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com