Numri i të vdekurve në Iran pëson rritje - protestat pas vrasjes së Mahsa Amini vazhdojnë për natën e 10-të me radhë

Të paktën 41 persona kanë vdekur në trazirat e shkaktuara pas vdekjes së një gruaje të re, ndërkohë që insitucionet gjyqësore paralajmërojnë për “veprim vendimtar pa mëshirë”.

Iranianët kanë dalë në rrugë për natën e dhjetë radhazi për të protestuar kundër vdekjes së Mahsa Amini në kundërshtim me një paralajmërim nga organet gjyqësore.

Zyrtarisht të paktën 41 persona kanë vdekur që nga fillimi i trazirave, kryesisht protestues, por duke përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë, por burimet thonë se shifra reale është më e lartë.

Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran (IHR) me bazë në Norvegji tha të dielën në mbrëmje se numri i të vdekurve ishte të paktën 57, por vuri në dukje se ndërprerjet e vazhdueshme të internetit po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë konfirmimin e vdekjeve në një kontekst ku protestat e udhëhequra nga gratë janë përhapur në shumë qytete.

Pamjet e qarkulluara nga IHR i shfaqin protestuesit në rrugët e Teheranit duke bërtitur “vdekje diktatorit”, me sa duket gjatë mesnatës së të dielës.

Duke i bërë jehonë një paralajmërimi një ditë më parë nga presidenti, Ebrahim Raisi, shefi i organit gjyqësor, Gholamhossein Mohseni Ejei, të dielën e “vuri theksin tek nevoja për veprim vendimtar pa mëshirë” kundër nxitësve kryesorë të “trazirave”, tha faqja e internetit e gjyqësorit Mizan Online.

Qindra demonstrues, aktivistë reformistë dhe gazetarë janë arrestuar mes demonstratave kryesisht gjatë natës që nga fillimi i trazirave pas vdekjes së 22-vjeçares Amini në paraburgimin e policisë më 16 shtator. Amini u ndalua nga policia e moralit pasi nuk e kishte të veshur hixhabin siç duhet.

Protestat më të mëdha të Iranit në pothuajse tri vjet i kanë shfaqur forcat e sigurisë që kanë qëlluar drejtpërdrejt, ndërkohë që protestuesit kanë hedhur gurë, kanë djegur makinat e policisë dhe kanë vënë zjarrin ndërtesave shtetërore.

Disa protestuese femra i kanë hequr dhe djegur hixhabet e tyre në tubime dhe i kanë prerë flokët, disa duke kërcyer pranë zjarreve të mëdha nën duartrokitjet e turmave që kanë brohoritur “zan, zendegi, azadi” ose “grua, jetë, liri”.

Monitori i uebit NetBlocks vuri në dukje “ndërprerje të vazhdueshme” dhe “kufizime të përhapura të platformës së internetit”, me ëhatsApp, Instagram dhe Skype që tashmë janë bllokuar. Kjo i pasoi ndalimet më të vjetra në Facebook, Tëitter, TikTok dhe Telegram.

Duke folur në emër të Bashkimit Evropian, shefi i politikës së jashtme, Josep Borrell, tha se “përdorimi i përhapur dhe joproporcional i forcës kundër protestuesve jo të dhunshëm është i pajustifikueshëm dhe i papranueshëm”. Ai i dënoi kufizimet e internetit si “shkelje të hapur të lirisë së shprehjes”.

Irani i ka thirrur ambasadorët britanikë dhe norvegjezë për atë që e quajti ndërhyrje dhe mbulim armiqësor mediatik, ndërsa ministri i jashtëm, Hossein Amirabdollahian, e kritikoi gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për “trazirat”.

Të dielën, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se SHBA ka ndërmarrë “hapa të dukshëm” për ta sanksionuar policinë e moralit.

Britania e Madhe u fajësua për “karakterin armiqësor” të mediave farsi me seli në Londër. Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se e ka mbrojtur lirinë e medias dhe e dënoi “shtypjen e protestuesve, gazetarëve dhe lirisë së internetit nga Irani”.

I dërguari i Norvegjisë në Teheran u thirr për ta shpjeguar “qëndrimin ndërhyrës” të kryetarit të parlamentit të saj, Masud Gharahkhani me origjinë nga Teherani, i cili ka shprehur mbështetje për protestuesit.

“Nëse prindërit e mi nuk do të kishin bërë zgjedhjen për të ikur në 1987, unë do të kisha qenë një nga ata që do të luftoja në rrugë me jetën time aty”- ka shkruar Gharahkhani në Twitter të dielën.

Tubimet pro-qeveritare u mbajtën gjithashtu të dielën, me ngjarjen kryesore që u zhvillua në qendër të Teheranit.

Por një nga sindikatat kryesore të mësuesve të dielën u bëri thirrje mësuesve dhe studentëve të organizojnë një grevë kombëtare të hënën dhe të mërkurën.

Protestat jashtë vendit janë mbajtur në solidaritet me gratë iraniane në Athinë, Berlin, Bruksel, Stamboll, Madrid, Nju Jork dhe Paris, mes qyteteve të tjera.

Regjisori iranian fitues i çmimit Oscar, Asghar Farhadi u bëri thirrje aktivistëve dhe artistëve në mbarë botën që t’i mbështesin protestuesit, për të cilët ai tha se “po kërkonjnë të drejta të thjeshta dhe megjithatë themelore që shteti ua ka mohuar për vite me radhë”.

“Unë e respektoj thellësisht luftën e tyre për liri dhe të drejtën për të zgjedhur fatin e tyre, pavarësisht nga brutaliteti që i nënshtrohen”, tha Farhadi në një postim në Instagram./The Guardian