Gjimnazi "Loyola" në Prizren - Foto: Facebook

Numër i lartë i nxënësve të infektuar me COVID-19, gjimnazi 'Loyola' nga e hëna kalon në mësim online

Gjimnazi privat “Loyola”, në Prizren nga java e ardhshme do të kalojë në mësim online për shkak të numrit të të infektuarve me COVID-19.

Sipas njoftimit në Facebook të këtij institucioni, mësimi online është përdorur si alternativë për të ndaluar zinxhirin e infektimeve me Koronavirus.

Sipas menaxhmentit të këtij gjimanzi, situata do të vlerësohet në vazhdimësi nga task-forca dhe më pas do të vendoset se si do të vazhdohet më tutje.

“Të dashur prindër, të dashur nxënës, të dashur partnerë të ALG “Loyola-Gymnasium”, për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve me Covid-19 në mesin e nxënësve dhe mësimdhënësve tanë, ne kemi qenë të detyruar t’i izolojmë menjëherë klasat e caktuara dhe t’i testojmë ato për virusin. Fatkeqësisht, si masë vijuese, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kalojmë përkohësisht në mësimin online, nga e hëna, më 24 janar, ndoshta për një javë, për të parandaluar kështu një përhapje të fuqishme dhe për t’u dhënë të gjithëve mundësinë për t’u testuar dhe për të thyer kështu zinxhirin e infeksionit. Ne do ta rivlerësojmë situatën çdo ditë me task-forcën e Covid-19 dhe menaxhmentin dhe do t’ju njoftojmë për vendimet e mëtejshme.  Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe ju dëshirojmë shëndet!”, thuhet në njoftimin e menaxhmentit të ALG-së.

Dje ka pasur një rritje rekorde të rasteve pozitive, ku vetëm për 24 orë janë konfirmuar 2.050 mostra pozitive.

Sipas institucione të Shëndetësisë, varianti dominues në Kosovë, ditëve të fundit, është Omicroni.