Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Nuk ka përkrahje të opozitës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për ta votuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se “mungon kuorumi, këtë pikë e shtyjmë për më vonë”.

Kuvendi i Kosovës ka kaluar në pikën për shqyrtimin e Projektligjit për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II).

Hekuran Murati në emër të Qeverisë dhe në emër të ministrit të Shëndetësisë arsyetoi projektligjin.

Ai ka kërkuar nga deputetët ta votojnë këtë projektligj duke thënë se miratimi i projektligjit do ta bëjë të zbatueshme marrëveshjen.

“Marrëveshja dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Lukemburgut duhet të miratohet për t`u krijuar projektligjin e cila e bënë të mundur dhe zbatimin e marrëveshjes”, tha Murati.

Fatmire Kollqaku deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka ftuar deputetët ta përkrahin këtë propozim.

“Nuk ka arsye që ky projektligj mos të merr përkrahje”, shtoi ajo.

Bedri Hamza, deputet i PDK-së tha se po rrezikohet të futet në një situatë ku ngarkohen gjeneratat e reja me obligime pa sqarime.

“Po kërkojmë pak më shumë transparencë – detaje, llogaridhënie, përgjegjësi rreth ngarkimit të gjeneratave të reja”, tha Hamza.

Hmza tha se deri sa nuk ndërron kjo gjendje grupi i PDK-së nuk i përkrah.

“Kemi të drejtë si opozitë të kërkojmë sqarime”, tha Hamza.

Besnik Tahiri kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar të diskutojnë se a është ky program në kornizat buxhetore, a është program që e lehtëson apo që i jep barrë më të madhe buxhetit të Kosovës.

“Ne në sallë nuk i kemi as 80 deputetë. A po duam me vendos vetëm për mos me u votu apo kemi synim m`i votu këto marrëveshje. Sa deputetë janë në sallë. Po ju pyes nënkryetare a janë 80 deputetë në sallë”, tha ai.

Nënkryetarja Bogujevci tha se LDK-ja nuk ishte prezent në sallë.