Nuk i dorëzuan raportet vjetore financiare, tri parti gjobiten me nga 4 mijë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 01.03.2024 ka njoftuar se është përmbyllur afati ligjor për subjektet politike të regjistruara në KQZ, për t’i dorëzuar raportet financiare për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023.

Përgjatë mbledhjes u tha se sipas ligjit, edhe subjektet parlamentare, të cilat nuk janë të regjistruara si parti politike, por që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës duke marrë pjesë në zgjedhje si iniciativa qytetare, kanë detyrim që të dorëzojnë raportin vjetor financiar.

Drejtori i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se tri partitë: Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Eko Lëvizja e Gjelbër, nuk i kanë dorëzuar ende këto raporte.

Buzhala bëri të ditur se ndaj tyre janë shqiptuar gjoba prej 4,000 euro.

“Në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike janë pranuar 51 raporte vjetore financiare, ndërsa 3 të tjera, si: Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Eko Lëvizja e Gjelbër, nuk i kanë dorëzuar ende këto raporte. Për shkak të mosdorëzimit, Zyra ka shqiptuar gjoba për tri subjektet politike të regjistruara me nga 4,000 Euro secilën prej tyre”- ka njoftuar Buzhala.

KQZ sot ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2023.