Nofka e njërit prej të arrestuarve për sulmin terrorist në Banjskë

Pjesëtari i grupit terrorist Blagoje Spasojeviq të cilit i është ckatuar sot masa e paraburgimit prej 1 muaji, është i njohur me nofkën “Blazho”, ashtu specifikohet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Pos, Spasojeviq, masa e paraburgimti i është cakktuar edhe Dusan Maksimoviq po ashtu i dyshuar si pjesëtari gurpit terrorist.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar sot gjatë ditës kërkesën në Gjykatën përkatëse për caktimin e masës së paraburgimit, për tre terroristët e arrestuar në Banjskë të Zveçanit, për sulmin që kryen ndaj Policisë së Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.

Ndërsa Vladimir Toliq, pjesëtari tjetër që po mjekohet në QKUK po ashtu i është caktuar masa e paraburgimit.

Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, në kërkesën e dorëzuar Gjykatës ka thënë se tre të arrestuarit dyshohen për vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës, si dhe kryerje të veprave terroriste.

Në kërkesë thuhet se të pandehurit Vladimir Toliq dhe Blogoje Spasojeviq me një grup personash ende të pa identifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme.

Si pasojë, thotë Prokuroria Speciale, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor Alban Rushiti.

Ndërsa i pandehuri tjetër Dusan Maksimoviq, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, me dashje iu ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Në kërkesë, prokurori Naim Abazi e thekson faktin se tre pandehurit janë shtetas edhe të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar.

“… si dhe rrethanat e përgjithshme të cilat aktualisht e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që po të lihen të lirë, do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale. Këtë mundësi reale të arratisjes së të pandehurve duhet ndërlidhur edhe me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden të lirë, për shkak të disa rrethanave” – thuhet në kërkesë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Vladimir Toliq aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, ndërsa dy të pandehurit e tjerë Dusan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq janë në ndalim në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka propozuar që ndaj tre të pandehurve fillimisht të ju caktohet masa e paraburgimit në afat prej 1 muaj.

Nën masa të rrepta të sigurisë nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë sjellë sot në gjykatë dy prej të arrestuarve për terrorizëm të cilët u kapën në Banjskë.

Në anën tjetër, burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se qysh në mëngjesin e sonte kanë nisur operacionet e tjera të kontrolleve në zonën e Banjskës.

Policia është duke vazhduar bastisjet dhe kontrollet në zonën malore nga ku janë arratisur të dyshuarit, përderisa është duke u kontrolluar tërë zona malore.