Një muaj paraburgim për të dyshuarit për vrasje të rëndë në tentativë ndaj policëve në Fushë-Kosovë

Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim për tre prej katër të dyshuarve për vrasje të rëndë në tentativeë.

Fjala është për të pandehurit F.K., G.K., B.K. dhe SH.K., të cilët janë arrestuar lidhur me incidentin e të martës në Fushë-Kosovë, kur u sulmuan zyrtarët policorë të cilët ishin në kryerje të detyrës.

Të pandehurve  F.K., G.K., B.K. Gjykata u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, duke filluar prej datës 03.11.2020 deri me datë 02.12.2020, ndërsa për të pandehurin SH.K. është refuzuar kërkesa për caktim të paraburgimit dhe është liruar që i njëjti të mbrohet në liri.

 

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, në vlerësim të pretendimeve të palëve dhe shkresave të lëndës gjyqtarja e procedurës parapake, gjeti se kërkesa për caktim të paraburgimit është e bazuar në raport me të pandehurit F.G, G.K dhe B.K, ndërsa në raport me të pandehurin SH.K., është refuzuar kërkesa për caktim të paraburgimit, pasi që nga provat nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën është dyshuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Të pandehurve F.G., G.K. dhe B.K. iu është caktuar masa e paraburgimit, pasi që të njëjtit mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë penale”, thuhet tutje në njoftim.

Të pandehurit F.G., G.K. dhe B.K., dyshohen se me datë 03.11.2020 rreth orës 15:40 deri sa të dëmtuarit N.G. dhe E.R., të cilët janë zyrtarë policorë ishin në kryerjen e detyrave zyrtare, në rrugën “Rruga e Pejës” në Fushë Kosovë, afër rrethit gjegjësisht qebaptores “Graniti” kanë vërejtur parking të parregullt të një veture dhe kishin shqiptuar një tiketë trafiku dhe i kishin kërkuar të largohet dhe tani zyrtarët policorë ishin nisur në drejtim të veturës zyrtare, ku me atë rast të pandehurit F.K., B.K., A.K., G.K., SH.K. që janë pronarë të qebaptores “Graniti” kishin dalë para lokalit dhe të gjithë në bashkëkryerje kishin filluar fillimisht t’i fyejnë dhe t’i kërcënojnë e më pas me mjete të forta me qëllim të privimit nga jeta, kishin filluar që t’i godasin zyrtarët policorë duke tentuar që t’ua marrin armën dhe pajisjet tjera zyrtare dhe pastaj i kishin goditur në regjionin e kokës dhe në tërë trupin, duke u shkaktuar lëndime trupore, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.