Një muaj paraburgim për 19-vjeçarin që dyshohet se theri vëllanë e tij në Ferizaj

Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj 19-vjeçarit, i cili dyshohet se ka therë me thikë vëllanë e tij pas një mosmarrëveshje verbale.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.I., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas njoftimit, i pandehuri L.I në një rrugë në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje më vëllanë e tij E.I, me dashje e ka sulmuar me thikë duke i shkaktuar lëndime trupore e që më pas i njëjti ka kërkuar tretman mjekësor në Qendrën emergjente në Ferizaj.

“I pandehuri L.I më 16 shkurt 2022, në një rrugë në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarin E.I. vëllain e tij, me dashje e sulmon duke e goditur me një mjet të rrezikshëm – thikë, në atë mënyrë që e godet në krahun e majtë në pjesën e epërme si dhe në shpinë, me ç` rast i shkakton lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

Kërkesa e prokurorit të shtetit është aprovuar si e bazuar dhe është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj” njofton Gjykata Themelore në Ferizaj.