Një dokument sekret e zbulon planin 10-vjeçar të Rusisë për ta destabilizuar Moldavinë

Një plan sekret i hartuar nga shërbimi rus i sigurisë, FSB, parashtron opsione të detajuara për ta destabilizuar Moldavinë – duke përfshirë mbështetjen e grupeve pro-ruse, përdorimin e Kishës Ortodokse dhe kërcënimin për ndërprerjen e furnizimeve me gaz natyror.

Dokumenti duket se është hartuar për ta penguar animin e Moldavisë drejt Perëndimit, i cili përfshin marrëdhënie më të ngushta me NATO-n dhe një aplikim për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ai vazhdimisht i referohet rëndësisë së parandalimit të anëtarësimit të Moldavisë në NATO.

CNN ka parë dokumentin e plotë, i cili duket se është shkruar në vitin 2021 nga Drejtoria e FSB-së për Bashkëpunimin Ndërkufitar. Titulli i tij është “Objektivat strategjikë të Federatës Ruse në Republikën e Moldavisë”.

Dokumenti përcakton një strategji 10-vjeçare për ta futur ish republikën sovjetike Moldavinë, e cila është e vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë, brenda sferës së ndikimit të Rusisë.

Plani përfshin bërjen e Moldavisë të varur nga importet e gazit rus dhe nxitjen e konfliktit social, si dhe përpjekjen për t’i bllokuar përpjekjet e Moldavisë për të fituar ndikim në rajonin separatist pro-rus të Transnistrisë, ku janë stacionuar rreth 1500 ushtarë rusë.

Dokumenti pesëfaqësh është i ndarë në tituj të shumtë me objektiva afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Ndër objektivat imediate janë “mbështetja për forcat politike moldave që i mbrojnë marrëdhëniet konstruktive me Federatën Ruse” dhe “neutralizimi i iniciativave të Republikës së Moldavisë që e synojnë eliminimin e pranisë ushtarake ruse në Transnistria”.

Objektivat afatmesme përfshijnë “kundërshtimin e politikës ekspansioniste të Rumanisë në Republikën e Moldavisë” dhe “kundërshtimin e bashkëpunimit midis Republikës së Moldavisë dhe NATO-s”.

Dokumenti i FSB-së parashtron objektiva afatgjata, duke përfshirë “themelimin e grupeve të qëndrueshme pro-ruse të ndikimit në elitat politike dhe ekonomike moldave” dhe “formimin e një qëndrimi negativ ndaj NATO-s”.

I pyetur për dokumentin të enjten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Ne nuk dimë asgjë për ekzistencën e një plani të tillë. Nuk e përjashtoj që ky të jetë një tjetër fals. Rusia ka qenë dhe mbetet gjithmonë e hapur për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, reciprokisht të dobishme, duke përfshirë edhe Moldavinë”.

Peskov shtoi: “Na vjen shumë keq që udhëheqja aktuale e Moldavisë po përjeton paragjykime krejtësisht të pajustifikuara dhe të pabaza kundër Moskës”.

Rusia ka akuzuar Ukrainën se planifikon ta pushtojë dhe të marrë nën kontroll Transnistrinë, e cila kufizohet me Ukrainën jugperëndimore. Ministria ruse e mbrojtjes tha muajin e kaluar se ukrainasit po mbledhin forca të blinduara në disa fshatra kufitare. Moldavia dhe Ukraina e kanë hedhur poshtë pretendimin rus.

Muajin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin e ka anuluar një dekret të vitit 2012 përmes të cilit e mbështet sovranitetin e Moldavisë, duke thënë se ky vendim është bërë për t’i “siguruar interesat kombëtare të Rusisë në lidhje me ndryshimet e thella që po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Në javët e fundit, autoritetet moldave kanë arrestuar disa aktivistë të dyshuar pro-rusë, si dhe një operativ të dyshuar të kompanisë ushtarake private ëagner që u përpoq të hynte në Moldavi.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar të dyja për përpjekjet ruse për ta destabilizuar qeverinë moldave. Të premten e kaluar, Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate ka thënë se “aktorët rusë, disa me lidhje aktuale me inteligjencën ruse, po kërkojnë të organizojnë dhe përdorin protesta në Moldavi si bazë për ta nxitur një kryengritje të fabrikuar kundër qeverisë moldave”.

Zyrtarët e inteligjencës perëndimore thonë se strategjia ruse në vetvete nuk është befasuese, por ajo mund të jetë përshpejtuar ndërkohë që qeveria moldave po i intensifikon përpjekjet për të bashkëpunuar më ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe shtetet evropiane./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala