Foto: Arkiv

NISMA "ende nuk ka biseduar" me LDK-në për koalicionin

Ende nuk është diskutuar koalicioni i mundshëm ndërmjet Nismës Socialdemokrate dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kështu ka thënë ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë dhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala.

Ish-ministri ka thënë se lidhja eventuale e koalicionit me LDK-në e Isa Mustafës do të diskutohet vetëm pasi t’i caktohet mandatari për formimin e ekzekutivit të ri partisë e cila doli e dyta nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Por, në fund, Shala tha se për një gjë të tillë vendosin organet e partisë.

“Ne ende nuk kemi biseduar për këtë çështje me LDK-në për arsye se ende nuk dihet se kush ka me marr mandatin. Në bazë të Kushtetutës e ka të përcaktuar mandatarin për herë të parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk ka kalu afati. Pastaj ne presim veprimet e presidentit të Kosovës, pas asaj, varësisht se kujtë ia jep mandatin atëherë organet kryesore të Nismës, kryesia qendrore dhe organet e saj drejtuese do të marrin vendim për çështjen e koalicionit”, tha Endrit Shala në një bisedë për KALLXO.com.

Dje, i pari i LDK-së, Isa Mustafa, njoftoi se delegatët e partisë u pajtuan me shumicë votash që të lidhin një koalicion të mundshëm me AAK-në, Nismën dhe minoritet.

Ndryshe nga partia e Fatmir Limiajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë është pajtuar që të lidhë koalicion me LDK-në.

Këtë për KALLXO.com e konfirmoi Pal Lekaj.

“Po, ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës do ta përkrahim koalicionin e tillë, në mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe minoriteteve meqë ne jemi në një situatë jo fortë të favorshme për menaxhimin e krizës dhe çështjeve të tjera. Pasi që të shtjerrën të gjitha procedurat nga Presidenti, procedurat kushtetuese, tani e ka radhën LDK-ja që ne e kemi shpreh gatishmërinë që të hyjmë në koalicion”, thotë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Sipas tij, një koalicion në mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe minoriteve do ta menaxhonte më mirë situatën me pandeminë e COVID-19.

“Po unë mendoj që gjithsesi po, e bazoj këtë në jo partneritetin të mirë apo jo të qëndrueshëm në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Atu ku nuk ka partneritet dhe nuk ka sinqeritet, atu nuk ka as rezultate. Ne mendojmë që nëse LDK-ja e merr përgjegjësinë, bashkë me AAK-në dhe Nismën, mendoj që do të menaxhohet shumë më mirë. Ju po i shihni pasojat, po keqpërdoret situata dhe pothuajse ne jemi në komunizëm edhe vendimet dhe shkelja e aktgjykimit të Kushtetutës është një vendim jodemokratik dhe kjo nuk shkon në favor të qytetarëve”, deklaroi deputeti Lekaj.

Pal Lekaj: LDK-AAK-Nisma, do ta menaxhonte më mirë situatën e pandemisë

www.kallxo.com