Arkiv

Isa Mustafa merr dritën jeshile për koalicionin LDK-AAK-Nisma-AKR

Kryetari i LDK, Isa Mustafa ka njoftuar se Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie është pajtuar që të formojnë një qeveri me koalicion AAK-në, Nismën, AKR dhe komunitetet.

Sipas një njoftimi për media, për këtë koalicion janë shprehur pro 108 anëtar të Këshillit të Përgjithshëm, 6 kundër dhe 10 prej tyre nuk janë përgjigjur.

“Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, sot më 14 prill 2020 në ora 16:00, në pyetjen e shtruar: A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe komunitetet, nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur”, thuhet më tej.

Mustafa është i mendimit se në bazë të këtyre votave ekziston vullneti për një koalicion të tillë.

“Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë më tej kreytari i LDK-së.

Një koalicion i tillë mund të ndodh pasi LDK-ja të marrë mandatin si partia e dytë për formimin e Qeverisë, nëse LV si partia e parë nuk e formon një qeveri sipas afatit ligjor.

Deri tek kjo ka ardhur pasi që LDK e rrëzoi Qeverinë Kurti, pjesë e të cilës ishte edhe ajo.