Illustration: Jete Dobranja/Prishtina Insight

Ngacmimet seksuale ndaj grave në vendin e punës

Njëra ndër sfidat në vendin e punës qoftë në sektorin publik apo atë privat është pa siguria dhe ngacmimi seksual brenda dhe jashtë hapësirave ku gratë punojnë.

IDRA Research & Consulting – Kosova dhe UN Women kanë publikuar raportin “Siguria dhe Shëndeti në Punë: Një studim i rasteve të ngacmimit seksual në vendin e punës në Kosovë në sektorin publik dhe privat”.

Në këtë studim janë anketuar 500 gra në shtatë rajone të Kosovës, prej të cilave 70% kanë punuar në sektorin privat dhe 30% në sektorin publik.

Në nivel të përgjithshëm, 72% e të anketuarave janë përgjigjur se e njohin termin “Ngacmim seksual në vendin e punës” dhe 24% deklaruan se nuk ishin në dijeni për këtë.

Gratë janë pyetur se a janë ngacmuar seksualisht ndonjëherë apo edhe kanë në të pranishme kur janë ngacmuar kolegët e tyre.

“84% e grave deklaruan se nuk kanë qenë, apo nuk njohin dikë, me vetëm 9% (45 persona) janë përgjigjur që kanë në fakt kanë qenë”- thuhet në raport.

Ndërsa, kur janë pyetur për vetën “shumë nga të anketuarit deklaruan se nuk kanë përjetuar kurrë ndonjë formë të ngacmimit seksual (51.9%) të pasuar nga vërejtjet verbale të natyrës seksuale (29.1%) dhe komenteve të papërshtatshme dhe/ose ofenduese (21.8%)”.

Të dyja gjetjet theksojnë se ngacmimi seksual është një çështje që ndodh në vendin e punës dhe vërejtjet verbale shpijnë në një ndjenjë të pasigurt dhe/ose të pakëndshme në punë, drejt një uljeje të konsiderueshme të produktivitetit të punës.

“52.5% e të anketuarave, i raportuan incidentet e ngacmimit, ndërsa 3% të të anketuarave, i raportuan në Polici incidentet e ngacmimit”- thuhet në gjetjen e raportit.

Në diskutimin rreth gjetjeve të këtij raporti, Naim Qelaj, Avokati i Popullit ka thënë se ajo që është paraqitë në këtë raport reflekton edhe në rastet që raportuara tek Zyra e Avokatit të Popullit.

“Në vitin 2017 kanë qenë tre raste ndërsa në vitit tjera kanë qenë nga një ose dy raste, ndërsa nëse mblidhen gjithsej janë 10 raste të raportuara. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve janë tërheq gjatë procedurës”- ka thënë Qalaj.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës(IP), Hekuran Nikçi ka treguar se sipas Ligjit të Punës IP-ja nuk mbikëqyrë rastet e ngacmimeve seksuale, por ka bërë të ditur se në komentet për ndryshimin e këtij ligji kanë rekomanduar që të merren edhe me këto rast.

“Inspektorët e punës në fakt tani kemi fillu me trajnimin e inspektorëve të punës për identifikimin e shkaqeve të ngacmimeve seksuale në vendin e punës. Asnjë trajnim deri më tani nuk është mbajtur për inspektorët punës për trajtimin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës”- ka thënë Nikçi.

Kodi Penal i Kosovës që nga viti 2019 e pranon ngacmimin seksual si vepër penale të dënueshme me ligj, të zbatuar ose me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet, veçanërisht nëse kryerësi ka pozitë të personit kompetent në lidhje me viktimën.

Në vitin 2020, Qeveria e Kosovës ka miratuar gjithashtu Politikën Kundër Ngacmimit Seksual në sektorin e Administratës Publike në Republikën e Kosovës,

Dafina Prekazi nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka folur për këtë politikë.

“Pas avokimit shumë vjeçar kemi rritur të iniciojmë aprovimin e politikës në Administratën Publike. Qëllimi ka qenë që të kemi një politikë konkrete, e cila pasqyron dispozitat e ligjit për barazi gjinore dhe ligjet për mbrojtje nga diskriminimi, dy ligje që saktësisht e definojnë ngacmimin dhe diskriminimin në vendin e punës”- ka thënë Prekazi.

Në raport thuhet se gratë menduan se ngacmimi seksual është një çështje e vazhdueshme në vendin e punës në Kosovë, ndërsa moshat e grupeve midis 35-54 vjeç kishin relativisht më pak gjasa të mendonin në këtë mënyrë.

Brikena Avdyli, trajnere për parandalimin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës, tregon se gjeneratat e reja e raportojnë ngacmimin seksual në krahasim me gratë më të vjetra.

“Gjeneratat e reja nuk po mësohen njëjtë, kemi pas raste në trajnime ku gratë kanë thënë që gjithmonë kemi pas këso raste, por nuk i kemi bë të madhe, tani gratë e reja po i raportojnë ato”- thotë Avdyli.

Në këtë raport të gjithë punëdhënësit në Kosovë, sektori publik dhe privat rekomandohen janë rekomanduar që politikat e brendshme për sistemet e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në vendin e punës me një mekanizëm efektiv dhe përgjegjës për parandalimin, raportimin konfidencial dhe masat mbrojtëse ndaj dhunës dhe ngacmimeve seksuale në vendin e punës.

Sipas Ligjit për Barazi Gjinore që është në fuqi prej vitit 2015, ngacmim seksual është “çfarëdo forme e sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale, apo fizike me natyrë seksuale, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi, dhe për të krijuar një mjedis frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues apo fyes”.

Në prill të vitit 2021, në KALLXO.com është publikuar artikulli “Frika e grave për të raportuar ngacmimet seksuale në punë”, në të cilin artikull është treguar përvoja e grave që kanë përjetuar ngacmime seksuale gjatë punës.

Frika e grave për të raportuar ngacmimet seksuale në punë