Prizreni

Foto: Denis Sllovinja

Nga 20 deri 27 maj në Kosovë bëhet vaksinimi i kafshëve të egra

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës ka njoftuar se nga data 20 deri më 27 maj 2021, në territorin e Republikës së Kosovës, do të zhvillohet fushata e vaksinimit nga ajri të kafshëve të egra kundër tërbimit.

Në komunikatën për media, bëhet e ditur se gjatë kësaj kohe do të ketë fluturime afër zonave kufitare.

“Kjo fushatë zhvillohet në tërë Ballkanin Perëndimor si pjesë e iniciativës rajonale të kontrollit të kësaj sëmundjeje tek kafshët, prandaj do të ketë edhe fluturime të aeroplanëve afër zonave kufitare të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, kjo është një procedurë moderne dhe garanton vaksinim të sigurtë të kafshëve.

“Kjo fushatë e mbështetur nga Bashkimi Evropian, do të zbatohet me një procedurë moderne e cila garanton vaksinimin e sigurt të kafshëve të egra, kurse i gjithë procesi i shpërndarjes së vaksinimit do të realizohet përmes ajrit dhe në mënyrë të kontrolluar nëpër të gjitha zonat malore, duke përjashtuar qendrat urbane dhe sipërfaqet ujore”, thuhet në komunikatë.