Nëntë raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit në Kosovë

Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici gjatë 24 orëve të fundit në disa rajone të ndryshme të Kosovës.

Lidhur me këto raste, sipas Policisë së Kosovës janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar.

Në Podujevë, një grua ka pranuar tretmanë mjekësor pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Fushë Kosovë një grua ka pranuar tretman mjekësor, pasi është sulmuar fizikisht. Sulmuesi dyshohet të jetë bashkëshorti i saj, që vazhdon të gjendet në arrati.

Policia ka njoftuar se rasti duke u hetuar nga njësitë relevante.

Dy ditë më parë në Prishtinë, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj dhe si pasojë ka pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se është kanosur përmes telefonit nga bashkëshorti i saj i cili jeton jashtë Kosovës.

Sipas Policisë viktima është intervistuar në prezencën e punëtorit social ndërsa me urdhër të prokurorit është cilësuar rasti dhunë në familje. Rasti është duke u hetuar.

Në Podujevë është raportuar se babë e bir që pas një mosmarrëveshje janë përleshur edhe fizikisht.

Ngjarja ka ndodhur dje dhe sipas Policisë në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit palët të lirohen dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.

Dje rreth orës 16:00 në Novobërdë në arrestuar një burrë pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Shtime është arrestuar një burrë nën dyshimin që ka kanosur bashkëshorten e tij.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:24 dhe në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajte

Një rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Malishevë.

Sipas Policisë një burrë është arrestuar kosovar pasi i njëjti ka kanosur bashkëshorten e tij.

I dyshuari gjatë intervistës ka mohuar një gjë të tillë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar, ka njoftuar Policia.