Qyteti port i Mariupolit i shkatërruar, Foto: VOA

Nënkryetari i Mariupolit thotë se nuk ka ushqim për fëmijët

Nënkryetari i qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupol thotë se njerëzit kanë filluar të vdesin nga uria dhe dehidratimi, pasi furnizimet me ushqim dhe ujë janë të pakta dhe nuk lejohet të hyjë ndihma humanitare.

“Disa po vdesin nga dehidratimi dhe mungesa e ushqimit. Disa po vdesin nga mungesa e ilaçeve, insulinës… Sepse njerëzit nuk mund të gjejnë ndihmë mjekësore,” thotë Sergey Orlov.

“Disa nëna nuk kanë qumësht dhe nuk kanë ushqim për fëmijët. Çfarë duhet të bëjnë me foshnjat e tyre? Une nuk e di. Nuk ka fare ushqim për fëmijët në qytet”, tha ai.

Mariupol ka qenë nën sulme të pamëshirshme ruse që në ditët e para të luftës dhe fotografitë tregojnë një qytet të rrënuar, me lagje të tëra të shkatërruara. Orlov thotë se 70% e spitaleve në qytet janë “shkatërruar nga bombardimet dhe granatimet”.

Komunikimi me qytet është i vështirë, pasi rrjeti telefonik është me ndërprerje, kështu që është e vështirë të verifikosh në mënyrë të pavarur informacionin. Banorët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në strehimore apo bodrume pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo gaz.

“Njerëzit thjesht kërkojnë çdo mundësi për të mbijetuar. [Ata] ndajnë ushqim, ujë, ata po mbledhin dru për të gatuar në rrugë”, thotë Orlov.

Më shumë se 100 mijë njerëz mbeten të bllokuar në Mariupol. Përpjekjet për të kryer evakuime në shkallë të gjerë kanë dështuar, edhe pse mijëra njerët kanë arritur të largohen ditët e fundit me automjete private./BBC.