Foto: Lutfi Haziri/Facebook

Në vitin 2022 Gjilani do të bëhet me çerdhen e premtuar që nga viti 2017

Në nëntor të këtij viti do të fillojë ndërtimi i çerdhes në vlerë mbi 800 mijë euro në lagjen ‘Arbëria’ në Gjilan.

Sipas planit, fëmijët e lagjes ‘Arbëria’ do të bëhen me çerdhe të re në qershor të vitit 2022 apo për më pak se një vit nga fillimi i punimeve.

Edhe pse punimet do të fillojnë në muajt e fundit të këtij viti, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri kishte paralajmëruar fillimin e ndërtimit të kësaj çerdhe qysh në dhjetor të vitit 2020.

“Tashmë edhe zyrtarisht po fillon ndërtimi i çerdhes në lagjen Arbëria, e cila do ta mbulojë një pjesë të konsiderueshme të qytetit me grupmoshat nga zero deri ne 5 vjeç. Faleminderit Komisionit Europian për mbështetjen e këtij projekti që kap shifrën mbi 800 mijë euro”, thuhej në postimin në Facebook të Hazirit më 20 dhjetor 2020.

Në fushatën zgjedhore për kryetar komune, në vitin 2017, kryetari Lutfi Haziri, kishte premtuar që në vitin e parë të qeverisjes, do të ndërtojë edhe dy çerdhe, çerdhen “Ardhmëria 1” dhe “Arbëria”. Por asnjëra nga këto çerdhe nuk ka nisur të ndërtohet deri tani.

“Ndërtimi i dy çerdheve të reja, në vitin e parë të qeverisjes. 2 çerdhe të reja, “Ardhmëria 1” dhe “Arbëria” janë të buxhetuar”, kishte premtuar Haziri në debatin e vitit 2017.

Çerdhja publike “Ardhmëria 1” gjendet në një objekt me qira. Që nga viti 2011 komuna paguan 1800 euro qira mujore apo 21 mijë e 600 euro qira vjetore. Prej 2011 e deri tash Komuna e Gjilanit ka paguar qira mbi 200 mijë euro. Komuna ka treguar edhe arsyet pse ende nuk ka nisur ndërtimi i kësaj çerdhe të premtuar.

“Për shkaqe të mungesës së hapësirave komunale në zonën e qendrës, do të shihet mundësia e blerjes së ndonjë parcele, apo në bashkëpunim përmes partneritetit publiko-privat të gjendet mundësia e investimit në një çerdhe të re”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan.

Në Komunën e Gjilanit gjithsej janë 5 çerdhe publike, nga të cilat 4 nga komuniteti shqiptar, me 452 fëmijë dhe 1 nga komuniteti serb me 51 fëmijë.

KALLXO.com kishte publikuar një hulumtim lidhur me komunën e Gjilanit që ndër të tjerash flet edhe për mosmbajtjen e premtimeve të udhëheqësisë së komunës lidhur me ndërtimin e çerdheve.

Qyteti pa ujë e në hall me mbulimin e lumit