Komuna e Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla

Qyteti pa ujë e në hall me mbulimin e lumit

Fuqia e pushtetit në komunë e ka bindur Lutfi Hazirin se arrin të ndalë edhe stuhitë natyrore. Kjo të paktën ishte reflektuar në një komunikatë të komunës ku potencohej që ndërhyrja e komunës ndaloi një stuhi shiu që po shkaktonte shumë dëme në qytet.

“Stuhia e shiut në Gjilan përfundon pas intervenimeve të domosdoshme në disa lokacione”, thuhej në njoftimin e një mbrëmje të korrikut nga Komuna e Gjilanit.

Komunikata me shkarje logjike u editua më vonë ndërsa mandati i tretë i Lutfi Hazirit në krye të Gjilanit e gjen qytetin me shumë prej problemeve që i ka të pazgjidhura që nga paslufta

Përkundër shumë problemeve në komunë, Haziri ka gjetur kohë të merret me partinë dhe të mbajë takime maratonike për lidhje të koalicioneve parazgjedhore. 

Komuna e Gjilanit ka qenë njëra nga komunat që ka shpallur gjendje emergjente për shkak të mungesës së ujit të pijshëm për shkak të rënies së nivelit të ujit në Liqenin e Përlepnicës, nga i cili Gjilani furnizohet me ujë. Niveli i liqenit është rritur në krahasim me vitin e kaluar por përsëri Gjilanit i duhet një zgjidhje dhe siguri për furnizim me ujë të pijshëm.

Në anën tjetër, qytetarët që jetojnë afër lumit Mirusha të shndërruar në ‘gyp’ i ujërave të zeza vazhdojnë të përballen me erë jo të këndshme. Ky lum që përshkon qendrën e qytetit ishte planifikuar të mbulohej i tëri, mirëpo projekti ka ngecur në disa pjesë dhe po zvarritet tash e disa vite.

Mirusha nuk është lumi i vetëm i kontaminuar, pasi 80% e kanalizimit në Gjilan vazhdon të derdhet në lumenj e përoska për shkak të mos realizimit të projektit për trajtimin e ujërave të zeza.

I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, që është në gjysmë të mandatit të tretë në këtë komunë, pati premtuar që në muajt e parë të qeverisjes këtë mandat do ta largonte bërllokun nga të dyja anët e rrugës që të çon te deponia rajonale e mbeturinave por as kjo nuk është realizuar.

Komuna paguan mijëra euro qira për njërën nga çerdhet e qytetit, ndërsa premtimi i Hazirit për ndërtimin e objekteve për dy çerdhe të reja nuk është mbajtur.

Haziri nuk mundi ta bënte as zhvendosjen e Universitetit “Kadri Zeka” nga kampusi i shkollave të mesme, siç kishte premtuar. Megjithatë, në buxhetin e Kosovës për vitin 2020 dhe dy vitet e ardhshme janë ndarë para për realizimin e këtij projekti.

Ndërkohë që është ndarë buxheti për ndërtimin e kampusit, një shkollë e përuruar në vitin 2013 në 15 hektarë tokë nuk po shfrytëzohet.

Sa i përket arsimit para universitar, kryetari Haziri i kishte premtuar nxënësve se do të fillonte furnizimin e nxënësve të shkollave fillore me shujta ditore. Shujtat i panë vetëm nxënësit e tri shkollave, përderisa komuna arsyetohet se mungesa e buxhetit ia ka pamundësuar mbajtjen e plotë të premtimit.

Haziri nuk e ka mbajtur as premtimin që do t’i emërojë tri gra drejtoresha në qeverisjen e tij. Ai ua ka besuar vetëm dy drejtori grave nga 12 drejtori sa i ka gjithsej Komuna e Gjilanit.

Dy çerdhet që ende nuk u ndërtuan

Në Komunën e Gjilanit gjithsej janë 5 çerdhe publike, nga të cilat 4 nga komuniteti shqiptar, me 452 fëmijë dhe 1 nga komuniteti serb me 51 fëmijë. 

Në fushatën zgjedhore për kryetar komune, në vitin 2017, kryetari Lutfi Haziri, kishte premtuar që në vitin e parë të qeverisjes, do të ndërtojë edhe dy çerdhe, çerdhja “Ardhmëria 1” dhe “Arbëria”. Por asnjëra nga këto çerdhe nuk ka nisur të ndërtohet.

“Ndërtimi i dy çerdheve të reja, në vitin e parë të qeverisjes. 2 çerdhe të reja, “Ardhmëria 1” dhe “Arbëria” janë të buxhetuar”, kishte premtuar Haziri në debatin e vitit 2017.

Çerdhja “Ardhmëria 1” gjendet në një objekt me qira, që nga viti 2011 dhe komuna paguan 1800 euro qira mujore për të. Prej 2011 e deri tash Komuna ka paguar qira rreth 195 mijë euro. Komuna ka treguar edhe arsyet pse ende nuk ka nisur ndërtimi i kësaj çerdhe të premtuar.

“Për shkaqe të mungesës së hapësirave komunale në zonën e qendrës, do të shihet mundësia e blerjes së ndonjë parcele, apo në bashkëpunim përmes partneritetit publiko-privat të gjendet mundësia e investimit në një çerdhe të re”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan.

Ndërsa për çerdhen “Arbëria”, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjilanit kanë thënë se janë në proces të fillimit të ndërtimit të çerdhes.

“Është në proces të fillimit të ndërtimit të një çerdheje në lagjen Arbëria”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit të Gjilanit për KALLXO.com.

I pari i Gjilanit kishte dhënë premtime edhe për Universitetin. 

“Largimi i Universitetit “Kadri Zeka” nga kampusi i shkollave të mesme në mënyrë që me u leju hapësira për nxënësit e shkollave të mesme”, kishte premtuar Haziri në Debat Pernime në vitin 2017.

Ky premtim ende nuk është realizuar, por Krypometri do të vazhdojë monitorimin për të parë nëse do të realizohet deri në fund të mandatit.

Investime në ndërtimin e kampusit të Universiteti “Kadri Zeka” janë paraparë nga Qeveria e Kosovës. 450 mijë euro janë bartur nga buxheti i vitit 2019 ndërsa këtë vit nuk janë ndarë fonde shtesë. Në vitin 2021 pritet të ndahen 600 mijë euro, kurse në vitin 2022 janë paraparë të ndahen 1 milion euro. Në total ky projekt është paraparë të kushtojë 2 milionë e 161 mijë e 558 euro.

Haziri kishte premtuar shujta ditore për fëmijët e shkollave fillore.

“Ushqimi për fëmijët e shkollës fillore në vitin e ardhshëm (2018)”, kishte premtuar Haziri.

Furnizimi me shujta ditore nuk ka fillu në vitin 2018 siç kishte premtuar Haziri. Në vitin 2019-2020, Komuna e udhëhequr nga Haziri ka filluar t’i furnzojë me shujta ditore vetëm nxënësit e tri shkolla fillore, në fshatin Shurdhan, në Kishnapole dhe në Verbicë të Zhegocit. Derisa nxënësit e 23 shkollave të tjera nuk marrin shujta ditore.

Ndërsa Drejtoria e Arsimit e Komunës së Gjilanit ka thënë për KALLXO.com se shkollat e tjera nuk marrin shujta ditore kryesisht për shkaqe buxhetore.

“Shkolla të tjera që nuk marrin shujta ditore janë edhe 23. Këto të tjerat nuk marrin kryesisht për shkaqe të mungesave buxhetore dhe kostos së lartë. Nuk është paraparë që edhe shkollat e tjera të furnizohen me shujta ditore”, theksohet në përgjigjen e DKA-së në Gjilan.

Në aspektin e sigurisë Komuna e Gjilanit ka probleme për të garantuar siguri për nxënësit në disa shkolla. 

Gjatë hulumtimit në Komunën e Gjilanit është gjetur se me dalje emergjente janë 18 shkolla kurse 17 shkolla të tjera, të gjitha shkolla të mesme dhe një shkollë e mesme e lartë, nuk kanë dalje emergjente.

Shkolla moderne e mesme e bujqësisë “Arbëria” në Gjilan e cila është investim danez prej 1.1 milion euro dhe shtrihet në një hapësirë prej 15 hektarëve, ka mbetur e pashfrytëzuar për shkak se Komuna e Gjilanit nuk ka arritur t’i inkurajojë nxënësit që të regjistrohen në këtë shkollë moderne.

Përurimi i shkollës së mesme të bujqësisë në Gjilan është bërë në shtator të vitit 2013 gjatë qeverisjes së Qemajl Mustafës. Nxënësit e kësaj shkolle gjatë vitit 2016 janë zhvendosur në shkollën teknike për të mbajtur mësim ndërsa në shkollën “Arbëria” shkojnë vetëm për praktikë.

‘Legjenda e Mirushës’, projekti 3.7 milionësh nuk përfundon as pas 8 viteve

Zgjedhjet në Gjilan në vazhdimësi janë fituar me premtimet për zgjidhen e problemeve të kanalizimit.

Trajtimi i ujërave të zeza vazhdon të jetë temë diskutimi dhe problem i pazgjidhur në Komunën e Gjilanit. Në Qendër të Gjilanit ka kutërbim, ndërsa gjendja edhe më e keqe është nëpër fshatra.

Në vitin 2017, kryetari Lutfi Haziri kishte premtuar se deri në përfundim të mandatit do të përfundonte tretmani i ujërave të zeza dhe impianti i ujërave të zeza në Gjilan.

“Tretmani i ujërave të zeza përfundon në dy vitet e para të qeverisjes, dy vitet e tjera janë për impiantin e ujërave të zeza, fondet e të cilave duhet me u siguru, fondet për impiant duhet me u siguru”, kishte thënë Haziri.

Sipas Drejtorisë së Shërbimeve Publike, rreth 80% e Komunës së Gjilanit ka kanalizim, por që i njëjti derdhet në lumenj dhe përroska kurse në brendi të qytetit, pjesërisht janë rrezikuar nga vërshimet banorët që jetojnë rreth lumit Stanishorka dhe në disa fshatra kah ka rrjedhje lumi Morava e Binçës.

Rrjedhja e kanalizimit afër shtëpive në lagjen Arbëria në Gjilan

Pas shkarkimeve të vazhdueshme të ujërave të zeza në lumin “Mirusha”, komuna e kishte nisur projektin për mbulimin e tij për shkak të kutërbimit.

Kanë kaluar 8 vite që kur është nënshkruar kontrata në vlerë 3.7 milionë euro për rregullimin shtratit të lumit Mirusha në Gjilan, por punimet nuk janë finalizuar ende.

Në fushatën zgjedhore për kryetar të Gjilanit në vitin 2017, Lutfi Haziri kishte premtuar që projekti që është zvarritur me vite do të përfundonte në vitin 2018.

Definitivisht ne e kemi mbyll në zonën urbane lumin Mirusha, jemi në implementim, krejt projekti i lumit Mirusha përfundon vitin e ardhshëm (2018), komplet si i tillë, mbyllet si proces sepse është implementuar”, kishte premtuar Haziri.

Projekti i Mirushës nuk ishte finalizuar në vitin 2018. Më 15 shkurt të vitit 2019, kryetari Lutfi Haziri gjatë një vizite të punimeve që po zhvilloheshin në lumin Mirusha, së bashku me ish-ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kishte thënë se problemit më të madh për 55 mijë banorë që jetojnë përreth lumit Mirusha, po i vjen fundi.

“Tregimi i madh për Mirushën po mbyllet për çka e falënderoj ministrin Matoshi për mbështetjen. Në të njëjtën kohë, po punojmë në ndërtimin e shtratit dhe platosë prej 3.5 kilometrash. Mbi të gjitha, krijohet hapësirë për qytetarët. Shpresojmë që më 28 nëntor do t’i japim fund këtij projekti”, ka thënë kryetari i Gjilanit.

Por projekti i lumit Mirusha, as në afatin e dytë të premtuar nga kryetari Haziri nuk është realizuar.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Naser Korça, ka thënë se ky projekt ende nuk ka përfunduar dhe se do të finalizohet në vitin 2020.

“Jo [nuk ka përfunduar], ende janë disa punë në fazën përfundimtare. Në vitin 2020 [do të përfundojë]”, potencohet në përgjigjen e Korçës për KALLXO.com.

Më tej, drejtori Korça ka thënë se pa përfunduar ka mbetur një pjesë e mbulimit të shtratit të lumit në veri dhe një pjesë në jug.

Një nga pjesët ku ka mbetur pa përfunduar mbulimi i lumit Mirusha

Në projektin për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha në Komunën e Gjilanit, Auditori ka gjetur se ka pasur ndryshime mes punëve që janë kontraktuar dhe atyre që janë realizuar në terren. Si rezultat i vendimit të Kuvendit Komunal punët e shtratit dhe kanalizimit ishin të kontraktuara në vlerë 1,818,730 euro ndërsa janë ekzekutuar 538,189 euro apo 70% më pak, punët e mbulimit në kanalizim ishin të kontraktuara 389,088 euro ndërsa janë realizuar 1,208,033 euro apo 210% me shumë.

Komuna e Gjilanit ende nuk ka një impiant për trajtimin e ujërave zeza, ndërkohë që ato vazhdojnë të shkarkohen në lumenj apo ambient të hapur. E premtimit për trajtimin e ujërave të zeza Haziri e kishte bërë edhe në fushatën për të parin e Komunës së Gjilanit në vitin 2013. Ky premtim ende ka mbetur pa u realizuar.

Në Kuvendin e Kosovës tri herë ka dështuar të votohet marrëveshja ndërkombëtare “Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan”, për të cilën nevojiten 80 vota.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, mos miratimin e marrëveshjes për ujërat e zeza nga deputetët e Kuvendit të Kosovës e ka konsideruar si fyerjen më të madhe që i është bërë qytetarëve të Gjilanit.

“Kjo është fyerja më e madhe që i është bërë qytetarëve të Gjilanit. Refuzimi i këtyre projekteve që janë jetike për Gjilanin nga cilado parti dhe cilido deputet, nuk e meriton respektin dhe besimin qytetar”, ka thënë Ismajli për KALLXO.com.

Përpos problemeve me kanalizimin dhe trajtim të ujërave të zeza, Komuna e Gjilanit ka pasur telashe me furnizim të rregullt me ujë të pijshëm gjatë vitit 2019, pasi rënisë së madhe të nivelit të ujit në Liqenin e Përlepnicës, prej nga furnizohet me ujë. 

Më 13 korrik, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë në hapjen e puseve të ujit të pijshëm në Lagjen e Rrushnajave, projekt ky që është financuar nga Qeveria e Kuvajtit. Haziri ka thënë se janë duke u angazhuar maksimalisht për të stabilizuar gjendjen me furnizim me ujë të pijshëm.

“Ne, me Bankën Botërore, e kemi bërë zgjidhjen afatgjate dhe projekti është miratuar në Washington nga bordi i drejtorëve para disa javësh dhe tani negociohet deri në ratifikim të marrëveshjes, për Gjilanin dhe Komunat në regjion. Hapja e këtyre puseve është zbutje e problemeve për Gjilanin në pjesën urbane. Në këtë lagje jemi në përfundim të projekteve të infrastrukturës, si në rrjetin e kanalizimit, ujësjellësit dhe asfaltimit të rrugëve”, ka thënë Haziri.

Sipas Drejtorisë së Shërbimeve Publike, në Gjilan janë 5 fshatra që nuk furnizohen ende me ujë të pijshëm. 

“Janë 5 fshatra qe nuk kane ujë, dhe janë ne proces te shtrimit te rrjetit te ujësjellësit”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Bërlloku “në derë” të deponisë rajonale

Gjilani hiq më mirë nuk qëndron edhe me mbeturinat, të cilat janë të hedhura e të grumbulluara në disa pjesë të qytetit dhe nëpër fshatra. 

E në debatin për kryetar të komunës, Lutfi Haziri në vitin 2017 pati premtuar që brenda tre muajve do të largojnë bërllokun që gjendet në të dyja anët e rrugës që të çon për te deponia rajonale e mbeturinave në Velekincë. Madje ai pati thënë që edhe një pjesë e rrugës atje ka nevojë të rindërtohet.

Mbeturinat në të dy anët e rrugës që të çon te deponia kryesore rajonale e Gjilanit

“Sa i përket deponisë së mbeturinave në Velekincë, ne do të ndërmarrim veprime konkrete brenda 3 muajve sepse atje ka nevojë edhe një pjesë e rrugës me u rindërtu”, kishte premtuar Haziri në vitin 2017.

Por gjatë hulumtimit në teren është parë që gjendja është e njëjtë si në vitin 2017, mbeturinat ende janë aty dhe rruga nuk është rindërtuar.

Përveç mbeturinave në rrugën që të çon te deponia kryesore e qytetit të Gjilanit, bërllok mund të gjesh edhe te ura mes fshatit Velekincë dhe Pasjan, në Zhegër te salla e re sportive dhe në Gjilan te Rruga e Washingtonit (prapa banesave te rruga që lidh rrugën qarkore me rrugën te Kazerma e FSK-së).

Bërlloku prapa palestrës sportive që është duke u ndërtuar në Zhegër

Në pritje të realizimit të projekteve infrastrukturore

Mbi 85% e zonës urbane të Komunës së Gjilanit është e mbuluar me plane urbane kurse 15% është pa plan. Komuna e Gjilanit ende nuk ka hartë zonale dhe sipas Komunës së Gjilanit e njëjta është në procedurë të hartimit. 

Në debatin e vitit 2017, përballë kandidatëve të tjerë për kryetar të Gjilanit, kryetari Lutfi Haziri kishte premtuar që do të ndërtonte rrugën në gjatësi prej 3.2 kilometra në drejtim të Prishtinës. Madje kishte thënë që të gjitha procedurat janë kryer dhe ka mbetur vetëm të fillojnë punët.

“Ndërtimi i rrugës 3.2 km në drejtim të Prishtinës, prej tunelit deri në lagjen Gllama në Bresalc, ka kaluar të gjithë procesin e projektit, e dëgjimit, edhe buxhetimin, ne kemi gjetur paratë, Banka Europiane për Zhvillim me seli në Londër i paguan edhe Qeveria e Kosovës, Komuna e ka dhënë lejen, natyrisht në përputhje me plane dhe në përputhje me kërkesat e qytetarëve”, kishte premtuar Haziri.

Kanë kaluar mbi dy vjet dhe ende ndërtimi i kësaj rruge nuk ka filluar. Krypometri do ta monitorojë premtimin e Hazirit për të parë nëse do të ndërtohet deri në përfundim të mandatit.

Edhe për urën pa mbrojtëse në një rrugë në fshatin Livoç të Epërm në vitin 2017, kryetari Lutfi Haziri kishte premtuar që do ta rregullonte brenda një jave, nëse do të vinte përsëri në krye të Gjilanit.

“Definitivisht duhet me u rregullu brenda një jave”, kishte premtuar Haziri.

Në mars të vitit 2018, KALLXO.com e kishte vizituar fshatin Livoç i Epërm për të parë nëse ishte realizuar premtimi që Haziri ua kishte bërë qytetarëve të kësaj ane. Por kjo urë ende vazhdonte të përbënte rrezik për jetën e qytetarëve.

E njëjta situatë është edhe tani në vitin 2020.

Ura pa mbrojtëse në fshatin Livoç i Poshtëm

Premtimi tjetër i Lutfi Hazirit në vitin 2017, kur po kandidonte për mandatin e dytë me radhë si kryetar i Gjilanit kishte deklaruar se janë duke pritur rrëzimin e shtëpive gjysmë të rrënuara dhe të mbushura me mbeturina që rrezikonin jetën e qytetarëve në rrugën “Abdullah Presheva” në Gjilan.

“Ndërsa te Lagja e Romëve, ne e kemi përmbaru të gjithë lëndën dhe presim rrënimin e të gjitha objekteve sepse është mbyll procesi si i tillë”, kishte deklaruar Haziri.

Në nëntor të vitit 2018, Komuna e Gjilanit ka marrë vendim për rrënimin e objekteve të rrezikshme dhe largimin e mbetjeve të rrënojave të 18 shtëpive në këtë lagje. 

Gjatë hulumtimit në terren është parë që në lagjen e njëjtë disa shtëpi janë rrënuar e disa të tjera jo.

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, Nevzad Rushiti, ka thënë për KALLXO.com se në rrugën “Abdullah Presheva” janë rrënuar shtëpitë që kanë qenë me rrezikshmëri të lartë për të cilat është bërë kërkesë nga Këshilli i lagjes.

“Është bërë kërkesë për me u rrënu shtëpitë që kanë qenë me rrezikshmëri më të lartë nga Këshilli i lagjes. Edhe mundësia materiale e jona na ka mundësu ato me i rrënu. Ne nuk e kemi pas me i rrënu të gjitha shtëpitë që janë në lagje por ato që kanë qenë më së shumti të rrezikshme. I ka zgjedhë Këshilli i lagjes, mure, shtëpi pa çati, pa plloçë. Do të kemi edhe aksione të tjera nëse kemi buxhet”, ka deklaruar Rushiti.

Një nga shtëpitë gjysmë të rrënuara në rrugën “Abdullah Presheva” në Gjilan

Gjilani me mungesë të mjekëve të përgjithshëm

Në Gjilan nuk ka mjaftueshëm mjekë të përgjithshëm që të mund të mbulojnë të gjithë fshatrat 5 ditë në javë dhe për rrjedhojë disa ambulanca punojnë vetëm 2 apo 3 ditë në javë. Në ambulantat e Llashticës dhe Kishnapoles, mjeku punon 3 herë në javë, në ambulantat e Livoçit të Ulët, Uglarit dhe Vërbicës së Zhegocit, mjeku punon dy herë në javë kurse në ambulantën e fshatit Shurdhan mjeku punon vetëm 1 herë në javë.

“Në QKMF-në “Dr Nagip Rexhepi” në Gjilan duke përfshirë tërë territorin e Komunës si Kujdes Parësor Shëndetësor do të ishte e nevojshme që të merret një numër i caktuar i mjekëve të përgjithshëm në mënyrë që si Komunë t’i mbulojmë të gjitha fshatrat me mjek 5 ditë në javë”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjilan.

Kanë kaluar gati 4 vjet që nga vënia e gurthemelit të Qendrës Kryesore Familjare në Gjilan por ajo ende nuk është bërë e gatshme për prerjen e shiritit të përurimit. Që nga muaji nëntor i vitit 2016 e deri më sot janë nënshkruar dy kontrata dhe një aneks-kontratë mbi 2.5 milionë euro.

Në nëntor të vitit 2016 është nënshkruar kontrata në vlerë 1.1 milion euro për ndërtimin e QKMF-së në Gjilan. Sipas kontratës, punët është dashur të përfundojnë brenda 578 ditëve të punës që i bie rreth 2 vjet.

Në muajin dhjetor të vitit 2018, me të njëjtën kompani është nënshkruar një aneks kontratë në vlerë 39,250 euro. Këto punë ishte paraparë të përfundonin brenda një muaji – ditë pune, që nga nënshkrimi i aneks-kontratës. Por edhe pas përfundimit të këtyre dy kontratave, punët në QKMF-në e Gjilanit, ende nuk kishin përfunduar.

Në nëntor të vitit 2019, Komuna e Gjilanit përsëri ka nënshkruar kontratë në vlerë 1.4 milion euro për vazhdimin e punimeve në ndërtimin e QKMF-së. Sipas afatit të paraparë me kontratë, punimet duhet të përfundojnë në nëntor të këtij viti, kështu që Krypometri do t’i monitorojë punët për ndërtimin e QKMF-së, nëse ato do të përfundojnë brenda afatit të paraparë.

Por kryetari i Gjilanit e ka mbajtur fjalën për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Llashticë ashtu siç kishte premtuar në debatin e vitit 2017.

Kemi filluar ndërtimin e QKMF-së dhe do të ndërtojmë ambulantën e re në fshatin Llashticë, si pjesë e rrumbullakimit të plotë të investimeve në infrastrukturë”, kishte deklaruar Haziri.

KALLXO.com ka qenë në fshatin Llashticë dhe e ka faktuar mbajtjen e këtij premtimi nga kryetari Haziri.

QMF e re në fshatin Llashticë

Gjatë mandatit të Lutfi Hazirit si kryetar i Komunës së Gjilanit, KALLXO.com ka raportuar edhe për punësime familjare dhe partiake. Në tetor të vitit 2018, KALLXO.com kishte raportuar se Bleranda Hasani – Qamili, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në Malishevë, Halil Halili, djali i shoferit të Komunës së Gjilanit dhe mbështetës i LDK-së, Avni Haziri, familjar i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Mustafë Mustafa, mbështetës të LDK-së në Gjilan, Labinota Zylfiu, mbesa e infermieres kryesore të QKMF-së në Gjilan, janë pesë infermierët dhe teknikët laborant që ishin punësuar sipas konkursit të 9 gushtit 2018.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli kishte thënë për Gazetën JnK se në këtë konkurs nuk ka pasur ndonjë parregullsi dhe se ata nuk kanë ndikuar në përzgjedhjen e kandidatëve.

“Absolutisht jo, unë të kisha sugjeruar me marrë në intervistë edhe anëtarët e komisionit edhe me i pyetur edhe ata veç e veç nëse ka pasë ndonjë ndikim prej neve si zyrtarë të lartë të Komunës në përzgjedhjen e ndonjë kandidati të mundshëm”, ka thënë Ismajli.

KALLXO.com e kishte pyetur Ismajlin për secilin nga personat të cilat kanë lidhje familjare me kryetarin Lutfi Haziri, që janë të punësuar në QKMF, që punojnë në Komunën e Gjilanit apo janë anëtarë apo mbështetës të LDK-së.

Qyteti i derbit të zjarrtë lokal pa stadium meritor

Gjilani e ka derbin lokal më të zjarrtë në Kosovë në futboll por ende nuk ka një stadium qysh e meriton. Kontrata për rikonstruktimin e stadiumit të Gjilanit është nënshkruar në tetor të vitit 2017, në vlerë prej 3.1 milionë euro, por deri tani janë kryer vetëm disa punime në tribunat veriore dhe jugore.

Kryetari Lutfi Haziri në vitin 2017 kishte premtuar që pas tri viteve Gjilani do të ketë stadiumin më të mirë në Kosovë.

“Ne jemi në fazën e fillimit të punimeve prej 3.2 milionë euro. Stadiumi i Gjilanit ka fillu me u ndërtu, 6.4 milionë euro kushton për tri vitet e ardhshme, 3.2 milionë euro ne i kemi siguru mjetet, janë në kornizë afatmesme buxhetore. Standardi i shkallës së katërt sipas UEFA/FIFA-s, gjilanasit pas tri viteve kanë me pas stadiumin më të mirë në Kosovë”, kishte premtuar Haziri.

Në muajin maj të këtij viti është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes Hazirit dhe Vlora Dumoshit, ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për rikonstruktimin e stadiumit të Gjilanit sipas kategorisë katërt të UEFA-s dhe FIFA-s, me kosto 4.6 milionë euro.

Në korrik të vitit 2017 është nënshkruar kontrata në vlerë 1.1 milionë euro për ndërtimin e palestrës sportive në fshatin Zhegër. Sipas kontratës ky projekt është dashur të përfundojë në vitin 2019. Tashmë janë bërë më shumë se 3 vjet dhe janë shpenzuar mbi 1.2 milionë euro për ndërtimin e kësaj palestre, por punimeve ende nuk po iu shihet fundi. E në bazë të buxhetit të Kosovës për këtë projekt pritet të ndahen para deri në vitin 2020.

Salla sportive e pa përfunduar në Zhegër

Në bazë të buxhetit të Kosovës të vitit 2020, palestra sportive në Zhegër të Gjilanit pritet t’i kushtojë shtetit të Kosovës 965 mijë e 49 euro. Për këtë projekt, 200 mijë euro janë bartur nga buxheti paraprak, këtë vit s’janë ndarë fonde të reja, 400 mijë euro janë paraparë të ndahen për vitin 2021 dhe për vitin 2022, 100 mijë euro.

Pak gra në qeverisjen komunale

Regjistrimit i fundit i popullsisë thotë se në Gjilan jetojnë rreth 90 mijë banorë, ku gjysma janë burra e djem dhe gjysma tjetër gra e vajza. Megjithëse numri është pothuajse i njëjtë, qeverisja aktuale e kryetarit Haziri i ka lënë anash gratë duke e caktuar vetëm dy gra drejtoresha, nga 12 drejtori sa i ka kjo komunë.

Haziri ia ka besuar grave, Drejtorinë e Kulturës dhe Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik. Në debatin e vitit 2017, me kandidatët për kryetar të Komunës së Gjilanit, Haziri kishte premtuar se minimalisht do të emërojë tri gra drejtoresha.

Definitivisht mendoj që tri zonja duhet minimalisht me shku”, kishte deklaruar Haziri në vitin 2017.

Përveç dy drejtoreshave, Haziri ka emëruar edhe Shpresa Eminin si kryesuese të Asamblesë Komunale të Gjilanit.

Edhe mandatin e kaluar Haziri kishte vetëm një ushtruese detyre në Drejtorinë e Arsimit, madje në mes të mandatit dhe kryesuesen e kuvendit. 

Ndërsa në administratën komunale të Gjilanit janë të punësuara 101 gra apo 34%, këtu nuk përfshihen QKMF dhe arsimi.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzimi administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Në bazë të një hulumtimi që është realizuar nga KALLXO.com, kryetari Lutfi Haziri është në mesin e 8 kryetarëve të komunave të Kosovës, nga 38 të tillë që e kanë regjistruar pronën në emër të përbashkët me bashkëshorten.

Sipas të dhënave të Komunës së Gjilanit, në vitin 2018 janë regjistruar gjithsej 413 gra si pronare, gjatë vitit 2019 janë regjistruar 383 gra si pronare të pronave kurse gjatë vitit 2020 janë regjistruar 26 si të tilla. 

Komuna e Gjilanit ka 48 fshatra dhe një ndër fshatrat më të mëdhenj të kësaj komune është Zhegra. Fshati Zhegër që nga viti 2005 ka kërkuar t’i kthehet statusi i komunës. Banorët e fshatit Zhegër marrin iniciativa të ndryshme për të larguar bërllokun apo për të rregulluar hapësira të tjera publike në vendin ku jetojnë.

Gypi i betonit para pastrimit nga banorët e fshatit Zhegër

Së fundmi, më 4 korrik, banorët e lagjes së parë si vullnetarë kanë kositur barin në pjesët anësore të rrugës, në pjesën nga shkolla vjetër deri te rruga e xhamisë, si dhe te pjesa rrugës që të çon te varrezat e fshatit.

“Vërtet këto iniciativa me shumë entuziazëm janë për tu përshëndetur. Apelojmë tek qytetarët që secili të përkujdeset në mirëmbajtjen e hapësirës para shtëpisë apo lagjes ku banon, është traditë e jona që e kanë bartur edhe baballarët dhe gjyshërit tanë”, ka shkruar në Facebook, Muhadin Nushi, banor i fshatit Zhegrës i cili në profilin e tij publikon aktivitetet vullnetare që i ndërmarrin banorët e këtij fshati.

Më 1 korrik ata kanë pastruar oborrin e Shkollës së Mesme në Zhegër ndërsa ditë më herët me ndihmën e zjarrfikësve të Gjilanit ata kanë bërë pastrimin nga mbeturinat dhe rëra të gypave nga betoni që shërbejnë për trajtimin e ujërave të shiut. 

Gypi i betonit pas pastrimit nga banorët e fshatit Zhegër

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).