Në veri të vendit asnjë i dënuar për krime mjedisore

Dushan Radakoviq nga OJQ “ACDC” në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se në komunat me shumicë serbe krimi multietnik ka bashkëpunim të fortë sa i përket marrjes së zhavorrit nga lumenjtë.

Sipas tij, kjo i bashkon shqiptarët dhe serbët, duke shtuar që në kufirin midis Çabrës dhe Zupqit në Zubin Potok, ekziston sasi e madhe zhavorri te pjesa ku është kufiri ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ai ka shtuar se në Gjykatën e Mitrovicës në vitin 2020 janë 13 raste, kryesisht shpyllëzim.

“Në përgjithësi gjobat e deritanishme, siç tha kolegu, janë mesatarisht 200 deri në 250 euro. Janë vetëm 3 dënime me burg me dënim prej 3 muaj, 5 muaj, por ato dënime janë shndërruar në dënime me kusht. Asnjë person nuk ka shkuar në burg nga i tërë veriu, asnjë njeri nga shtatë komunat, për prerje të pyjeve, gjuetisë pa leje, shkatërrimit të lumenjve” – ka thënë Radakoviq.

Ai ka shtuar se në rajonin e Mitrovicës nuk ka asnjë rast të dënimit për shfrytëzim të zhavorrit.

“Ne kemi një që ishte për gjueti, një për peshkim, për gjueti pa leje, pjesa tjetër është e gjitha për prerje pylli” – ka shtuar Radakoviq.