Gjykatat u kanë shqiptuar dënime shumë të buta kryerësve të krimeve mjedisore

Gjykatat e Kosovës kanë shqiptuar dënime të buta ndaj personave që kanë kryer krime mjedisore.

Blerta Iberdemaj, nga Zyra Ligjore e BIRN-it, ka thënë se për rreth 6 muaj ka analizuar vendimet e gjykatave rreth këtyre krimeve.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ajo tha se nga 50 vendimet që kanë marrë gjykatat, dënimet ndaj atyre që kanë dëmtuar mjedisin janë shumë të buta.

“Ne zakonisht jemi të njohur për analizimin e vendimeve deri në detaje, na intereson me pa se si gjykatat i marrin vendimet, si i arsyetojnë ato vendime. Dukuria e krimeve ambientale trajtohet pak sidomos prej institucioneve tona. I kemi marrë 50 aktgjykime të gjykatave, i kemi krahasuar a janë në përputhje me Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Udhëzuesin për politikën ndëshkimore. Nga kjo kemi vërejtur që gjykatat në shumicën e rasteve kanë shqiptuar dënime shumë të buta” – ka thënë Iberdemaj.

Ajo ma tej ka shtuar se edhe dënimet me gjobë kanë qenë minimale ndaj kryerësve të krimeve ambientale.

“Me apo pa qëllim, gjykatat kanë bërë dyfishim të rrethanave lehtësuese. Në Udhëzuesin e politikës ndëshkimore shkruan qartë se si gjyqtarët duhet të marrin vendime, si duhet të maten rrethanat edhe provat. Nga ajo që kemi pa në terren kemi vërejtur që p.sh. nëse kryerësi i veprës penale ka pranuar fajësinë, është konsideruar rrethanë lehtësuese, në rastin kur ky person ka shprehur keqardhje, gjykata prapë e ka numëruar si rrethanë të re lehtësuese” – ka thënë më tej ajo.

Kodi Penal parasheh deri në dy vjet dënim me burgim për kryerësit e këtyre veprave, pra dëmtimin e ambientit.

Iberdemaj ka shtuar se gjatë analizimit të këtyre lëndëve ka gjetur se Gjykata e Gjakovës ka dënuar me 200 euro personin që në mënyrë ilegale shfrytëzoi burimet natyrore minerare dhe i shkaktoi dëm shtetit në vlerë prej rreth 16 mijë euro.