Sejdiu: Kemi zënë 26 operatorë ilegalë dhe kemi sekuestruar makineri të rëndë

Naim Sejdiu, kryeinspektor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për krimet mjedisore, tha se rajoni i Dukagjinit dhe i Gjilanit janë më të eksploatuarit nga operatorët ilegalë.

‘Eksploatimin më të madh e kemi në Dukagjin, edhe në pjesën e Gjilanit kah Kamenica, inerte d.m.th. rërë dhe zhavorr që është në lumenj e toka bujqësore. Kemi bërë një punëtori ku kemi ftuar të gjitha institucionet me qëllim parandalimi dhe ndalimit të operatorëve ilegalë. Dhe jemi dakorduar që të veprojmë të gjithë së bashku. KPMM të gjithë operatorët ilegalë që i ka zënë në terren i ka përgatitur lëndët i ka çu në prokurori” – ka thënë Sejdiu.

Kryeinspektori i KPMM-së ka shtuar që bashkë me Policinë kanë zënë 26 operatorë në terren dhe kanë sekuestruar mjetet e tyre të punës.

“Janë sekuestruar mbi 80 makineri të larta. Me ligj ne e kemi detyrë të shpallim sekuestrimin ndërsa prokuroria bën sekuestrimin e këtyre mjeteve, Nga KPMM-ja ne i bëjmë gjobat administrative për një operator legal që bën ndonjë shkelje, 10 mijë euro është gjoba ndërsa ata ilegalë e kanë gjobën 5 mijë euro dhe masa e shfrytëzuar, d.m.th. vjedhja e resursit është 10 mijë euro për operator ilegal” – ka thënë më tej Sejdiu .

Nga viti 2012 deri në vitin 2022 KPMM-ja ka lëshuar 817 gjoba.