Në katër nga gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve viktima janë gratë

Disa raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Nga gjashtë raste të raportuara, në katër prej tyre, burrat dyshohet se kanë sulmuar gratë familjare të tyre.

Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Rahovec e Prizren.

Mbrëmjen e 16 nëntorit në Prishtinë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kërcënuar dhe është tentuar të sulmohet fizikisht nga bashkëshorti i saj. Rasti thuhet të ketë ndodhur rreth orës 22:20.

Sipas organeve të rendit dhe ligjit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër dhune në Prishtinë është raportuar mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 18:00.

Sipas Policisë, është arrestuar një person i dyshuar pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Gruaja thuhet të ketë pranuar tretman mjekësor. Në anën tjetër, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër grua ka qenë viktimë e një rasti të dhunës në familje në Rahovec.

Dje në mesditë ajo ka raportuar se bashkëshorti i saj me të cilin janë në proces gjyqësor, përmes telefonit e ka kanosur vajzën e tyre, me pretekst pse ka shkuar te nëna e saj.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Në Prizren një burrë u arrestua dje pasdite, pasi dyshohet që ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

Gjatë arrestimit, i dyshuari kishte penguar zyrtarët policor dhe kishte kanosur se do ta lëndojë vetën, thuhet në raportin policor.

“Nga i dyshuari është konfiskuar një thikë . Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bën të ditur Policia.

Në dy raste të tjera në këtë 24 orësh të fundit, vetëm dy burra kanë qenë pre e dhunës të cilët janë sulmuar nga familjarët e tyre nga e njëjta gjini.

Në kryeqytet dje pasdite, një burrë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale, është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij.

Policia bën të ditur se ai ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Në një tjetër rast që ka ndodhur po ashtu në Prishtinë, mbrëmjen e së mërkurës, një burrë ka informuar se është sulmuar fizikisht nga i biri i tij.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton Policia e Kosovës.