Foto: Ilustrim

Në dy operacione policore, 25 të dyshuar arrestohen për krim të organizuar

25 persona janë arrestuar si të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të krimit të organizuar, përfshirë në vepra penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Siç njofton Policia e Kosovës, arrestimet kanë ndodhur pas hetimeve disa mujore të realizuara fillimisht në vitin 2020, të cilat kanë vazhduar deri më 14 prill të vitit 2021.

Operacionet policore janë realizuar me urdhëresë të organeve të drejtësisë, e që kanë përfshirë disa lokacione, konkretisht Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën e Jugut, ku gjatë kontrollit të disa shtëpive dhe objekteve përcjellëse në të dy operacionet, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 8 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 13 armë të vogla revole, 2 karikatorë, (1,493) municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të ndryshme të armëve, pajisje për pastrimin e armëve, 2 leje për armë, 2 vetura, 1 palë dylbi, 21 telefona celularë, 2,000 euro dhe 1 fletore me shënime.

“Nga njëzet e pesë (25) personat e arrestuar në të dy operacionet policore, vlen të potencohet se dymbëdhjetë (12) prej tyre janë arrestuar në vitin 2020, të cilët me vendim të prokurorëve kompetentë janë dërguar në mbajtje, përderisa në operacionin policor të realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit janë arrestuar trembëdhjetë (13) persona, prej tyre shtatë (7) persona me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, përderisa gjashtë (6) persona janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e PK-së.